Atentat vlonjatit të dyshuar për 5 krime

Kronikë e zezë

Atentat vlonjatit të dyshuar për 5 krime

Më: 31 tetor 2014 Në ora: 09:04

Një person 48-vjeçar mbeti i plagosur rëndë dje në mbrëmje kur dy persona e qëlluan me armë zjarri në ambientet e një lokali në zonën e Unazës së Re. Mbi të mësohet se është qëlluar me katër plumba ndërsa dy atentatorët janë larguar me anë të një motori i cili është fiksuar mirë nga kalimtar të rastit, të cilët i kanë dhënë policisë të gjitha të dhënat e duhura jo vetëm mbi markën dhe targën e motorit por madje edhe mbi ngjyrat e rrobave që kishin dy personat që qëlluan. Ndërsa i plagosuri është dërguar menjëherë në drejtim të Spitalit Ushtarak, policia ka bërë me dije se ka ngritur 8 post-blloqe për të bërë të mundur arrestimin e autorëve. Personi mbi të cilin është qëlluar, mësohet se është Krenar Habilaj (Hasanaliaj), nga Vlora, me banim në Tiranë dhe sipas bluve një person me një sërë precedentësh të rëndë kriminal; vrasje, grabitje me pasoje vdekjen dhe aksident me pasojë vdekje, akte këto për të cilat sipas të dhënave të para, Habilaj ka kryer vetëm 11 vite burg. Emri i Habilajt, mësohet se është bërë i njohur që në vitin 1997-të me anë të një grabitjeje me pasojë vdekjen, ndërkohë që policia tregon se ai ka kryer edhe dy akte të tjera të rënda pas asaj grabitjeje fatale. Ndërkaq ai mësohet se disa vite më parë kishte ndërruar emrin nga Habilaj, në Hasanaliaj.

Atentati

Orëve të mbrëmjes mësohet se 48-vjeçari ka qenë në ambientet e një lokali bar-kafe në zonën e Unazës së Re, kur një motor tip “Scooter” me targa greke i është afruar lokalit duke qëlluar me pistoletë 4 herë në drejtim të tij. Sipas të dhënave, dy plumba e kanë marrë në trup 48-vjeçarin, i cili ka mundur të ngrihet nga tavolina dhe të iu shpëtojë plumbave të tjerë. Dy atentatorët janë nisur në drejtim të zonës së Kasharit, ku mësohet mjeti është parë të hynte drejt rrugës dytësore. Për herë të fundit, motori është parë në zonën e Domjes, pikërisht atje ku edhe është gjetur i braktisur nga autorët. Policia e Tiranës, bëri me dije rreth 40 minuta pas atentatit është bërë e mundur të shoqërohen dy persona, ku pretendohet se njëri prej tyre të jetë edhe autor i atentatit. Policia nuk jep të dhëna mbi vendin në të cilin është bërë e mundur të ndalohen dy të dyshuar, ndërsa motori i atentatit është zbuluar i hedhur në liqenin e Kasharit pas ndalimit të dy personave. 48 vjeçari, i cili është i njohur me mbiemrin Hasanaliaj dhe që ka ndryshuar mbiemrin në Habilaj, pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale, mësohet se ka dalë nga rreziku për jetën, ndërkohë që policia ka hulumtuar edhe mbi të shkuarën e tij, duke zbuluar një sërë aktesh kriminale që mbajnë autorësinë e tij, me të paktën 4 viktima, akte që kanë nisur që 17 vite më parë.

Hetimet dhe precedentët

Policia e Tiranës ka bërë me dije mbrëmjen e djeshme se hetimet janë përqendruar pikërisht mbi të shkuarën e të plagosurit, ku janë dokumentuar të dhënat mbi të gjithë aktivitetin kriminal. Burimet treguan se janë shoqëruar një sërë personash nga lokali në të cilin ndodhi atentati, ndërsa pretendohet se një i ri me inicialet Xh.A, është edhe i dyshuar si njëri prej autorëve. Policia e Tiranës ka saktësuar mbrëmjen e djeshme se Krenar Habilaj rezulton të jetë autori i një grabitjeje në vitin ‘97 në Vlorë, ku mësohet se gjatë saj ka humbur jetën V. Kofina. Gjithashtu, dy vite më vonë thuhet se ka qëlluar për vdekje D. Shahajn po në Vlorë. Në vitet 2005 dhe 2008 ai është akuzuar për tentativë vrasjeje dhe një tjetër grabitje. Dy vite më parë, policia thotë se Habilaj është hetuar dhe gjykuar edhe për një aksident me pasojë vdekjen e dy personave në zonën e Dukatit të Vlorës, ndërsa për të gjithë këto mori aktesh kriminale, i plagosuri i mbrëmshëm, jo vetëm që gjendej i lirë, por madje është dënuar, një herë me 11 vite burg dhe për aksidentin me 5 vite burg, ndërsa nuk dihet se si ka mundur të fitojë lirinë në të dy rastet që është dënuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat