Arrestohen tre xhihadistë nga Kosova– planifikonin sulm ndaj një baze të KFOR’it

Kronikë e zezë

Arrestohen tre xhihadistë nga Kosova– planifikonin sulm ndaj një baze të KFOR’it

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 16:26

Një grup prej së paku tre kosovarëve nga Regjioni i Mitrovicës është arrestuar ditë më parë nga Policia e Kosovës. Ata dyshohet se kanë planifikuar një sulm ndaj një baze të KFOR’it në Kosovë.
Gazeta Express merr vesh se ata janë që të gjithë veteranë xhihadistë të luftës së Sirisë dhe Irakut, kosovarë që kanë luftuar në krah të grupeve terroriste, Xhabhatu Al-Nusra (krahu zyrtar i Al-Kaida’së në Siri) dhe Shteti Islamik i Irakut dhe Shamit (ISIS).

Këto informacione që janë siguruar fillimisht nga inteligjenca kosovare janë trajtuar edhe në KFOR, dhe kjo organizatë ndërkombëtare ka rritur nivelin e sigurisë për pjesëtarët e sajë në territorin e Kosovës.

Gazeta Express ka provuar që të marrë një konfirmim nga Policia e Kosovës, por Zyra për Informim e saj nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetës.

Veteranët xhihadistë të Kosovës nga konflikti sektar në Siri e Irak kohën e fundit kanë qenë në masë të madhe pre e operacioneve anti-terrorizëm të Prokurorisë së Shtetit dhe dhjetëra prej tyre janë arrestuar me akuzën për pjesëmarrje në grupe terroriste - e dënueshme me Kodin Penal të Kosovës prej 5 deri në 10 vjet burg.

Në këto operacione anti-terrorizëm janë arrestuar edhe mbi 10 imamë të Bashkësisë Islame të Kosovës për rekrutim të xhihadistëve dhe për nxitje të urrejtjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat