Djali dhe nusja: Na erdhi turp të tregonim vetëvarjen e nënës

Kronikë e zezë

Djali dhe nusja: Na erdhi turp të tregonim vetëvarjen e nënës

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 09:55

Dy bashkëshortët Sheraf dhe Donika Aliko u lanë në burg dje nga Gjykata e Gjirokastrës deri në sqarimin e plotë të rrethanave të vdekjes së Bukurie Alikos, 94-vjeçares, nëna e Sherafit. Mbrojtësi ligjor i çiftit kundërshtuar pretendimet e prokurorit pasi ai kërkoi gjykatës lënien në masën e sigurisë arrest me burg për burrë e grua, deri në daljen e konkluzionit mjeko- ligjor të ekspertëve të Tiranës, mbi shkaqet e vdekjes së të moshuarës. Mësohet se si djali i viktimës, ashtu edhe nusja kanë mohuar kategorikisht jo vetëm të kenë kryer një akt të tillë, por edhe të kenë dhunuar ndonjëherë të moshuarën. Burrë e grua janë mbrojtur në gjykatë me të njëjtën tezë, atë të faktit që e moshuara kishte tentuar edhe dy herë të tjera t`i jepte fund jetës, ndërsa ekspertët e hetimit janë rikthyer në banesën e çiftit Aliko për të rindërtuar ngjarjen, pikërisht bazuar në dëshmitë e Donika Alikos, gruas së Sherafit, e cila ka pretenduar para prokurorit dhe gjykatës se ajo personi i parë ka gjetur vjehrrën të pa jetë. Burrë e grua janë vetëshpallur “fajtorë” para gjykatës vetëm për faktin që nuk treguan që në fillim se nëna ishte vetëvarur, duke e justifikuar se iu kishte ardhur turp që nuk kishin qenë të zotët ta shpëtojnë atë nga vetëvarja. Ndërkohë që të dy kanë dalë kundër pretendimit të motrës së Sherafit që edhe ka kallëzuar ngjarjen, duke pretenduar se denoncimi është bërë ndaj tyre për shkak të konfliktit për prona.

Seanca gjyqësore

Sheraf dhe Donika Aliko kanë dalë veç e veç para gjykatës, gjatë vlerësimit të masës së sigurisë. Që të dy kanë rrëfyertë njëjtin version para gjyqtarit, ndërsa kanë mohuar të jenë të përfshirë në ngjarjen e rëndë të humbjes vdekjes së kryefamiljares së tyre. Përgjatë dhënies së masës së sigurisë për 66-vjeçarin Aliko, avokati ka kundërshtuar pretendimet e prokurorit të çështjes me justifikimin se veprimet e policisë dhe të prokurorisë janë antiligjore ndërsa provat janë krejtësisht të pamjaftueshme për t’i mbajtur në qeli. Avokati është mbajtur fort pas faktit se nuk mund të akuzohen dhe të arrestohen dy persona për vrasje vetëm falë një kallëzimi, ku për aktin nuk ka asnjë provë. Por gjyqtari ka vendosur t`i japë kohë prokurorisë për të sjellë prova dhe fakte në lidhje me ngjarjen, ndërsa mbrojtësi ka kundërshtuar masën edhe për Donikën, 59-vjeçaren, që sipas tij vuan nga një sëmundje e rëndë. Të akuzuarit mësohet se i kanë thënë Gjykatës se në momentin që nëna kishte kryer aktin e vetëflijimit ka qenë e vetme në shtëpi, pasi Donika ka qenë jashtë, duke u marrë me punë ndërsa Sherafi nuk ka qenë në shtëpi fare. Gruaja ka thënë se e ka njoftuar bashkëshortin e saj dhe i ka treguar se nëna ishte e pajetë tek koka e krevatit dhe se ajo kishte varur veten. Të dy, burrë e grua, kanë pretenduar para gjykatës se kanë 40 vjet që jetojnë me të dhe kanë qenë të vetmit njerëz të familjes që janë kujdesur për të. Nga ana tjetër e bija që ka bërë kallëzimin kundër vëllait dhe kunatës duke i akuzuar se i kanë vrarë nënën, jeton në Tiranë prej shumë vitesh.


Hetimet

Grupit hetimor ka mbërritur në shtëpinë e familjes Aliko dhe në bazë të rrëfimeve të të akuzuarve ka ndërtuar edhe njëherë skenën e ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje të prangosurit kanë treguar se nënën e kishin gjetur të varur tek koka e krevatit dhe se sipas të dhënave në riskicimin e ekspertëve është e mundur të kryhet një akt i tillë, pasi hekuri i kokës së krevatit është rreth 70 cm larg tokës, vend në të cilin e moshuara pretendohet se kishte lidhur një litar prej rreth 30 cm të gjatë për t’u vetëvrarë. Njëkohësisht mësohet se burrë e grua kanë shpjeguar edhe pozicionin më të cilin e kanë gjetur gruan e pajetë, që sipas hetimit, dëshmia e tyre përputhet me konkluzionet paraprake, ndërsa prokuroria do verifikojë edhe momentin kur Donika thotë se bashkëshorti i saj nuk ka qenë në shtëpi kur gjeti vjehrrën të pajetë. Grupi hetimor po verifikon pikërisht këtë moment, ndërsa nuk saktësohet nëse gruaja e ka lajmëruar me telefon bashkëshortin apo me ndonjë fqinjin e tyre për të ardhur në shtëpi. Sherafi mësohet t’i ketë thënë prokurorit se ai flinte prej shumë kohësh në dhomën e nënës, vetëm për faktin se ajo viteve të fundit ishte rënduar psikologjikisht dhe kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe më parë po me vetëvarje. Prokuroria ka vërtetuar në fakt se në dhomën e të moshuarës gjendeshin dy shtretër, ndërsa pritet të merren në pyetje edhe fëmijët e tjerë të viktimës, përveç vajzës që kallëzoi vëllanë dhe kunatën se i kishin vrarë nënën.

Ekspertimi mjeko-ligjor

Ditën që u bë kallëzimi në policinë e Gjirokastrës nga gruaja, e cila kishte shkuar nga Tirana në Zhulat, tek shtëpia e vëllait të saj, prokuroria kërkoi ekspertë mjeko-ligjor për të kryer edhe zhvarrimin e tupit të të ndjerës. Në të dhënat e para, mjekët pretenduan se gruaja kishte dëmtime të tjera në trup, por të gjitha pretendimet e mjekëve u lanë të verifikoheshin me hollësi deri në daljen në një konkluzion përfundimtar pikërisht në lidhje me dëmtimet që janë gjetur në trupin e viktimës. Referuar të dhënave që vijnë nga policia mësohet se faktet e para flasin për vetëvarje, ndërkohë që në lidhje me dëmtimet fizike po bëhen ekspertimet e këtyre dëmtimeve. Burimet tregojnë se ka dyshime që viktima gjatë momentit të vetëvrasjes mund të jetë përpëlitur në dyshemenë e dhomës dhe mund të ketë pësuar dëmtime, ndërsa vdekja nuk ka asnjë dyshim që i ka ardhur nga dëmtimet që ka në pjesën e qafës, dëmtime lehtësisht të verifikueshme nga ana e ekspertëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat