Dëshmitari: I akuzuari ma vuri revolen në qafë

Kronikë e zezë

Dëshmitari: I akuzuari ma vuri revolen në qafë

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 10:04

Në gjykimin kundër Agim Zymberit që akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar, kanosje dhe armëmbajtje pa leje, inspektori i Punës dhe Mirëqenies Sociale që në këtë rast paraqet njërin nga të dëmtuarit, tregoi se i akuzuari ia vuri revolen në anën e majtë të qafës.
Inspektori tha në gjykatë se bashkë me kolegun e tij nga e njëjta ministri, ishin në makinë jo shumë larg lokalit të të akuzuarit, kur Agim Zymberi duke shfrytëzuar dritaren e hapur të makinës zyrtare ia vuri revolen në qafë.

“Revolja ka qenë e zezë kur ma ka vendosur në qafë në anën e majtë, unë xhamin e veturës e kam pasur të hapur”, tha inspektori.

Ngjarja kishte ndodhur më 3 qershor 2013, kur të dy inspektorët po prisnin policinë për ta inspektuar Piccerinë “Dardi”, pronë e të akuzuarit.

“O me më vra më vret, por prej meje nuk fiton asgjë”, tregoi dëshmitari fjalët që ia ka thënë të akuzuarit, duke iu përgjigjur pyetjes së Haxhi Millakut, avokatit të Agim Zymberit, se kur e kishte parë saktësisht revolen.

Pastaj inspektorët kishin hyrë në lokalin e të akuzuarit, ndërsa ai i kishte përzënë prej tij, duke i ndjekur me karrige.

Zymberi ka pranuar vetëm akuzën e kanosjes, duke mohuar sulmin ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe armëmbajtjen pa leje.

Atij nuk i është gjetur revolja, të cilën e përmendi inspektori në dëshminë e tij.

Kjo shtyri prokurorin që në seancën e 15 tetorit të kërkojë prapë dëshminë e inspektorëve në mënyrë që të sqarohej nëse i akuzuari ishte i armatosur.

Atë ditë avokati Haxhi Millaku kishte kundërshtuar këtë kërkesë të prokurorit, me arsyetimin se ligji nuk lejon ballafaqimin e të akuzuarit me dëshmitarin.

Gjykata pastaj kishte vendosur që të ridëshmojë vetëm inspektori që edhe më parë kishte thënë se ka ndjerë tytën e revoles t’i prekë qafën.

I akuzuari e pyeti dëshmitarin nëse ata të dy janë takuar tri herë. Dëshmitari mohoi një gjë të tillë, por pranoi se në lokal i akuzuari i kishte sulmuar me karrige, pa i qëlluar.

Seanca, ku pritet të jepet fjala përfundimtare e prokurorisë dhe mbrojtjes, u caktua për 6 nëntor. /kallxo.com/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat