Vjedhja e energjisë, arrestohen 49 biznesmenë dhe 3 nga OSHEE-ja

Kronikë e zezë

Vjedhja e energjisë, arrestohen 49 biznesmenë dhe 3 nga OSHEE-ja

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 09:36

Beteja me hajdutët e energjisë elektrike nisi të marrë formë dje. 52 persona në pranga dhe 7 në kërkim është bilanci i aksionit të OSHEE-së dhe Policisë së Shtetit që mbështet këtë operacion, ndërkohë që mes të arrestuarve është edhe një faturist i ndaluar në Tiranë. Në të gjithë valën e arrestimeve policia ka vendosur të mos bëjë publik emrat e sipërmarrësve të prangosur, ndërsa publik është bërë vetëm emri i faturistit, të cilit iu kanë referuar edhe letrat në prokurori për shpërdorim detyre. Të dhënat në lidhje me operacionin masiv kundër hajdutëve të energjisë është deklaruar një sërë zërash zyrtar, ndërsa publikisht nëpërmjet kamerave, këta zyrtarë, iu bëjnë me dije hajdutëve të energjisë së operacioni do të vijojë deri në shkëputjen e lidhjes së fundit të paligjshme në vend.

Operacioni sipas Policisë së Shtetit Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, nisën zbatimin në terren të masave të posaçme për ndërprerjen e abuzimeve me energjinë elektrike, duke identifikuar dhe vënë para drejtësisë shumë autorë t lidhjeve të paligjshme dhe të vjedhjes së energjisë elektrike. Gjatë këtij operacioni strukturat e Policisë së Shtetit kanë vepruar në terren në bashkëpunim me specialistët e OSHEEsë, përmes grupeve të përbashkëta, të cilët po ushtrojnë kontroll të plotë të territorit, duke filluar nga zonat me humbjet më të mëdha në rrjet dhe në çdo rast po kryejnë dokumentacionin për kapjen në flagrancë të vjedhësve të energjisë, duke bërë njëherazi dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme. Dje strukturat e Policisë së Shtetit është mbështetur OSHEE-ja në 283 raste. Pas kontrolleve të ushtruara deri në orën 19:00 është marrë masa e arrestit në flagrancë ndaj 52 personave, kryesisht pronarë të subjekteve të biznesit, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike, si dhe janë shpallur në kërkim 7 persona. Nga Policia e Tiranës janë arrestuar në flagrancë 21 pronarë të bizneseve të ndryshme, të cilët janë konstatuar që kryenin vjedhje të energjisë, si dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë, pronarë biznesesh që rezultojnë hajdutë të energjisë.

Arrestimet

Sipas të dhënave të bëra publike mbrëmjen e djeshme, bëhet me dije se nga strukturat e Policisë së Shtetit, po punohet dhe në drejtim të identifikimit të personave që krijojnë lehtësira për t’u kryer ky aktivitet i paligjshëm, siç mund të jenë punonjës të vetë OSHEE apo ishpunonjës të këtij institucioni, duke marrë dhe masa ndaj tyre. Në këtë kontekst, në të gjitha rastet e konstatimeve të krijimit të lidhjeve të dyfishta të energjisë elektrike për vjedhje apo abuzime të tjera, do të kryhen hetime të plota për të identifikuar punonjësin që ka njohuri të posaçme për kryerjen e lidhjeve të tilla duke filluar procedimin penal. Konkretisht gjatë ditës së djeshme është arrestuar nga Policia e Tiranës një faturist dhe nga ajo e Fierit një inxhinier dhe një elektricist nën akuzën e konsumimit të veprës penale të shpërdorimit të detyrës. Njëkohësisht goditja më e madhe është dhënë në bizneset e të dy anëve të autostradës Tiranë-Durrës, kryesisht në zonën e Kasharit, ku sipas të dhënave që disponon OSHEE-ja, bizneset e kësaj zone janë edhe zhvatësit më të mëdhenj të energjisë elektrike. Drejtori i Policisë së Tiranës Ardian Çipa dje në mbrëmje në një deklaratë për mediet në prani të Drejtorit të OSHEE-së Arben Seferi, tha se ishte arrestuar në Tiranë faturisti Ali Malaj. Ai akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe se tashmë pritet të dalë para gjykatës me këtë akuzë.

Krerët e energjisë

Pas ultimatumit të kryeministrit, Edi Rama, për të gjithë vjedhësit e energjisë elektrike, vjen dhe shpërndarja në terren e punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes dhe e Policisë. Veç krerëve të policisë të cilat kanë treguar shifrat e ndëshkimeve të djeshme, kanë qenë edhe dy zyrtarët më të lartë të sektorit energjetik në vend të cilët kanë premtuar çuarjen në fund të këtij operacioni.

Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri dhe administratori i OSHEE- së Arben Seferi, kanë bërë me dije se fillimi i operacionit është përqendruar tek bizneset e jo tek familjet, ndonëse kujtojnë se do të verifikohet edhe lidhja më e fundit e paligjshme e energjisë elektrike. Gjiknuri ka deklaruar se do të merren masa për të gjithë ata që kanë abuzuar me lidhjet e jashtëligjshme të energjisë, duke vënë theksin se asnjë abuzues nuk do të tolerohet dhe do të përballet me ligjin: “Njëkohësisht, jemi duke vepruar në pika të ndryshme të Tiranës. Ky operacion do të shtrihet në shkallë të gjerë në të gjithë Shqipërinë dhe ditë për ditë ju do të shikoni që do të kemi raste konkrete të ndëshkimeve të personave abuzues. Edhe me ndryshimet që kemi bërë në Kodin Penal, synimi ynë primar ka qenë ai grup që e vjedh energjinë elektrike për qëllime fitimi”. Ndërkohë mësohet se nëpr sportelet e postave ka patur dyndje të qytetarëve për të paguar faturat e papaguara, ndërsa personat që janë ndëshkuar nuk kanë mundur të gjejnë asnjë sportel ku të qajnë hallin e faturimit të shumëfishtë.

Tahiri, mbledhje urgjente me krerët e Policisë dhe me Gjiknurin

Mbrëmë, pas publikimit të dhënave të ditës së parë të operacionit kundër hajdutëve të energjisë elektrike, publikime që kanë ardhur nga drejtoritë e Policive, ministri i Brendshëm ka thirrur në një takim urgjent kreun e Energjetikës, Damian Gjiknurin, 12 vartësit e kryepolicit të vendit dhe drejtues të OSHEE-së. Takimi mësohet se u krye në ambientet e Ministrisë së Brendshme ndërsa sipas të dhënave në takim me krerët e sipërmarrjes së ndëshkimit të hajdutëve të energjisë është folur mbi mekanizmin që do të ndiqet deri në përfundimin e operacionit në mbarë vendin. Përveç krerëve të energjetikës, Saimir Tahiri ka thirrur në takim edhe 12 drejtorët e policive në qarqet e vendit, të cilët do të jenë në krye të operacioneve, jo vetëm për të mbështetur Operatorin, por edhe për të identifikuar raste dhe individë të cilët kanë shkelur ligjin duke vjedhur energjinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat