Vjedhja e energjisë, 14 arrestime në Tiranë

Kronikë e zezë

Vjedhja e energjisë, 14 arrestime në Tiranë

Më: 28 tetor 2014 Në ora: 14:26

Sot në ditën e parë të operacionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ka zbritur vetë në terren.

Aksioni u fokusua në aksin Tiranë-Durrës, i cili ashtu siç tha edhe kryeministri Rama dje, është më problematiku në këtë drejtim, pasi një sërë biznesesh furnizohen me energji elektrike dhe paguajnë si të ishin abonentë familjarë. Biznesi i parë që u kap në flagrancë me lidhje të jashtëligjshme ishte një biznes që prodhon akullore. Gjiknuri paralajmëroi se asnjë biznes nuk do të tolerohet për vjedhje energjie dhe se do të përballet me ligjin:

“Po merren masat konkretisht në terren duke filluar nga bizneset të cilat kanë abuzuar me lidhjet e paligjshme thjesht me qëllim fitimin. Do të ketë arrestime për personat përgjegjës dhe çdo ditë do të bëjmë publike numrin dhe emrat e të arrestuarve. Ky aksion ka filluar edhe në rrethe”, deklaroi ministri Gjiknuri gjatë këtij aksioni.

14 persona, pronarë të bizneseve që vidhnin energjinë elektrike janë arrestuar deri më tani në kryeqytet. A.D, pronari i një diskoje në kryeqytet u vu në pranga për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Po ashtu, M.K, pronar lavazhi, A.H pronar i një mobilierie, L.B pronar ndërtimi dhe K.LL pronar i një servisi.

Janë gjashtë komisariate që operojnë në këtë aksion, ndërsa në listën e monitorimit për këtë të martë janë 80 biznese. Numri i të arrestuarve pritet të ndryshojë me vijimin e aksionit, ndërsa ka pasur raste që pronarët e bizneseve që kanë vjedhur energjinë, janë larguar.

Aksioni kundër vjedhjes së energjisë elektrike është më i madhi në vend i ndërmarrë nga qeveria, pas atij të antidrogës në Lazarat dhe atij të lirimit të hapësirave publike me prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat