Nuse dhe vjehërr në Lezhë rrëfejnë si u grabitën (Video)

Kronikë e zezë

Nuse dhe vjehërr në Lezhë rrëfejnë si u grabitën (Video)

Më: 26 tetor 2014 Në ora: 08:13

Tre persona të maskuar dhe të armatosur kanë grabitur me dhunë një familje në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatin Balldre të Lezhës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në momentin, kur nuse dhe vjehrrë ishin bërë gati për të dalë në qytet, por papritur u gjendën përballë 3 personave të armatosur dhe të maskuar që kishin hyrë në shtëpi për t’i grabitur. Tre personat e maskuar dhe të armatosur janë futur në banesën e shtetasit Luigj P. për të grabitur. Pasi kanë kërkuar për të gjetur paratë në shtëpi, janë përballur me dy gratë e familjes lezhjane. Grabitësit, kanë ushtruar dhunë ndaj dy grave, duke u kërkuar atyre paratë dhe sendet me vlerë. Luxhe P., është ende e shokuar nga ajo që ndodhi mëngjesin e sotëm në banesën e saj në Balldre të Lezhës. Ka ende në fytyrë shenjat e dhunës nga përleshja me agresorët, njërit prej të cilëve arriti t’i heqë dhe maskën. Luçja, sic e thërrasin, thotë se grabitësit i vunë armën në kokë asaj dhe nuses së djalit, duke u kërkuar paratë dhe bizhuteritë. “Mua më qëlloi njëri nga personat me maska dhe më kërkoi të hiqja unazën dhe vëthët. U përleshëm me njërin nga grabitësit dhe unë i hoqa maskën. Ishte një bjond, por nuk e mbaj mend mirë. Pasi na morën sendet me vlerë, ata u larguan me një makinë”, tregon Luxhe P., e cila ka ende në fytyrë shenjat e dhunës nga përleshja me agresorët. Pasi kanë marrë paratë dhe sendet me vlerë, personat me maska janë larguar me një makinë. Familjarët kanë njoftuar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve. Policia bëri të ditur se ka gjetur të braktisur mjetin e autorëve rreth 2 kilometra larg nga banesa e grabitur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat