Vetëvritet italiani që vrau dy shqiptarët, ish punëtorë të tij

Kronikë e zezë

Vetëvritet italiani që vrau dy shqiptarët, ish punëtorë të tij

Më: 20 tetor 2014 Në ora: 16:11

Xhanluka Çiferri, biznesmen ndërtimi nga Fermo, i cili më 15 shtator të këtij viti kishte vrarë me armë zjarri dy ish-punonjës të tij nga Kosova, të cilët kishin shkuar t’i kërkonin pagat e prapambetura, është vetëvarur në qelinë e burgut.

Biznesmeni, sipas avokatit të tij, është vetëvarur në qelinë e tij në burgun e Askoli Piçenos. Çiferri, është lidhur me një litar në hekurat e dritares së banjës para aktit vetëvrasës.

Ai nuk ishte i vetëm në qeli, por shoku i dhomës e ka gjetur të vdekur kur ora ishte rreth 4 e mëngjesit. Sipas policisë, mësohet se ka lënë edhe një letër. Xhanluka Çiferri ishte akuzuar për vrasje të dyfishtë me pistoletë ndaj Nexhmedin Mustafës, 38 vjeç dhe Valdet Avdylit, 26 vjeç, punëtorë të migruar nga Kosova.

Gjatë marrjes në pyetje, Çiferri kishte dhënë versionin e tij për ngjarjen: “U mbrojta nga një agresion. Dy punëtorët ishin të armatosur me një sëpatë, pata frikë dhe qëllova me armë”.

Punëtorët kosovarë kërkonin 20 mijë euro rroga të prapambetura që ia kishin kërkuar disa herë punëmarrësit të tyre edhe përmes një paralajmërimi të shoqatës së sindikatave. Nexhmedini kishte katër fëmijë, ndërsa Valdeti kishte një djalë dhe ishte në pritje të një tjetri. “Nuk dinte me çfarë t’i ushqente fëmijët e tij”, tregonte vëllai i Nexhmedinit.

I pasionuar pas armëve, italiani zotëronte rreth 40 pushkë dhe pistoleta. Sipas dëshmisë, pistoletën e mbante në garazh dhe kishte thënë se shkoi të marrë me vrap kur e pa veten i kërcënuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat