Tiranë, farmacistja, bashkëshorti dhe mjekja e lagjes, grabisin invalidin

Kronikë e zezë

Tiranë, farmacistja, bashkëshorti dhe mjekja e lagjes, grabisin invalidin

Më: 17 tetor 2014 Në ora: 10:05

Prokuroria zbulon një rast skandali me një invalid të një farmacisteje që në bashkëpunim me mjeken e lagjes dhe bashkëshortin e saj, kanë përfituar një shumë të madhe parash nga rimbursimi i disa prej ilaçeve që duhej të merrte qytetari i sëmurë me zemër dhe diabet. Ngjarja ka ndodhur në kryeqytet, ndërsa prokuroria, ndonëse i ka kërkuar gjykatës paracaktimin e masës së arrestit për farmacisten, ka vendosur të mos ia publikojë emrin, derisa të përfundojnë hetimet jo vetëm mbi aktin e kryer prej saj, por edhe të bashkëpunëtorëve të saj, që në rastin konkret janë bashkëshorti dhe mjekja e lagjes së të sëmurit.

Në mashtrimin e farmacistes dhe të burrit të saj, futet edhe një tjetër mjek, i cili i rekomandon një tjetër ilaç të sëmurit, pasi atij i shtohet fiktivisht edhe një sëmundje tjetër. Invalidi, zbulon abuzimin e një rrjeti personash, ndërsa i duhej të shkonte në Greqi tek i biri dhe i kërkon farmacistes që ta pajiste me ilaçet që i duheshin për tre muaj, ndërsa pjesën tjetër të ia kthente para. Farmacistja kishte mundur t`i merrte recetën të sëmurit dhe më pas i jepte ilaçet që donte ajo dhe po ashtu duke i dhënë edhe një shumë modeste parash. Historia e frikshme vjen në pak raste të verifikuara nga hetimi, ndërsa tashmë në pranga ka rënë vetëm farmacistja E. Shaholli. Abuzimet me të sëmurin kanë nisur që në vitin 2011.

Hetimi

Nga hetimet e kryera rezulton se SH. D trajtohet nga shtetit me pension invaliditeti lëshuar në emër të këtij në bazë të procedurave përkatëse. Prej dhjetë vjetësh ai vuan nga sëmundja e diabetit dhe zemrës dhe për këtë shkak ai është trajtuar si invalid. Madje ai trajtohet me ilaçe, nga të cilat një pjesë i rimbursohen nga shteti dhe pjesën tjetër ai i blen vetë. Që prej muajit dhjetor 2011, ai është trajtuar nga një mjeke lagjeje, e cila e ka adresuar që ilaçet e invaliditetit t`i merrte tek një farmaci tjetër në Tiranë pasi të gjithë pacientët e saj furnizoheshin aty.

Kallëzuesi ka shkuar bashkë me mjeken e familjes tek kjo farmaci dhe pasi i ka parë recetën, farmacistja E. Shaholli i ka shpjeguar se ilaçet që ai kërkonte nuk rimbursoheshin të gjitha nga shteti dhe se cilësia e tyre nuk ishte e mirë. Për këtë arsye ajo i ka propozuar që mbi bazën e recetës së ilaçeve me rimbursim që ai kishte në emër të tij t’i jepte një pjesë të këtyre lekëve pa marrë fare ilaçe sepse këtë gjë mund ta rregullonte vetë farmacistja pa i shpjeguar mënyrën se si do të bëhej një gjë e tillë. Po kështu farmacistja pasi i ka marrë recetën e rimbursueshme i ka thënë kallëzuesit të paraqitej të nesërmen për t’i dhënë lekët, por pa marrë asnjë ilaç.

Nga interesimi që ka bërë kallëzuesi, ka mësuar se vlera e ilaçeve për të cilat ai rimbursohej nga shteti ishte rreth 23.000 lekë të reja, ndërsa farmacistja i jepte atij për këtë vlerë vetëm një shumë nga dy mijë deri në tre mijë lekë të reja në dorë pa marre ilaçe fare por vetëm duke dorëzuar recetën e rimbursueshme të lëshuar nga mjekja e lagjes. Sa herë që kallëzuesi ka shkuar te farmacistja me emrin E. Shaholli, ai ka parë edhe shume njerëz të tjerë që dorëzonin receta të rimbursueshme dhe merrnin lekë pa marrë ilaçe.

Burri i farmacistes

Më 11 dhjetor 2013 kallëzuesi është takuar me shtetasin G. Shaholli, bashkëshortin e farmacistes, të cilit i ka shpjeguar se për disa ditë do të shkonte të merrte ilaçet e rimbursueshme tek farmacia e tij. Pacienti i ka shpjeguar të mos merrej me insulinat pasi ato nuk kishin vlerë, por të shkonte në poliklinikën e lagjes dhe të merrte rekomandim tek “alergjia” pasi aty ishin ilaçet e shtrenjta dhe fitimi ishte shumë i madh. Nga ana e tij, kallëzuesi që kishte nevojë për insulina pasi ishte i sëmurë dhe invalid, ndërsa për punën e alergjisë ai nuk dinte ku të shkonte. G. Shaholli i ka shpjeguar që fillimisht duhet të shkonte te mjeku i familjes dhe më pas tek një mjeke tjetër. Para saj, kallëzuesi duhej të hiqej si i sëmurë duke pretenduar marrje fryme, këputje të përgjithshme, por duke futur tek libreza personale një shume prej dy mijë lekësh të reja dhe më pas ajo do t’ia mbushte rekomandimin me ilaçe të shtrenjta. Me tej G. Shaholli i ka thënë të mos i kursente dy mijë lekë të reja sepse do t’i nxirrte më pas pasi një pompë për alergjinë bënte nga 15 deri në 18 mijë lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat