Italiani i penduar, zbulon shqiptarët e trafikut, sekuestrohen 2 tonë drogë

Kronikë e zezë

Italiani i penduar, zbulon shqiptarët e trafikut, sekuestrohen 2 tonë drogë

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 09:48

Një transportues droge, që ishte punonjës i grupit të shqiptarëve që kishin nën sundimin e trafikut të narkotikëve zonën mes Firences dhe Milanos, me qendër në Vareze, ka çuar në zbulimin e një prej organizatave më të mëdha të zbuluara në Itali për këtë vit. Përveç se janë vënë në pranga 36 persona, shumë prej të cilëve shtetas shqiptarë, policia vendase pretendon se ka thyer edhe një prej grupeve më të fuqishme të këtij trafiku, pasi lëndët e kushtueshme hynin nga Holanda. Grupi i cili funksiononte në mënyrë perfekte mësohet se drejtohej nga tre shqiptarë, dy vëllezër dhe një shoku i tyre, ndërsa aktiviteti i linjës Holandë- Itali është zbuluar që në vitin 2010. Ka qenë pikërisht italiani që pasi është arrestuar, ka nisur të bashkëpunojë me drejtësinë për të ardhur deri mëngjesin e djeshëm që përveç arrestimit të 36 personave të grupit, janë sekuestruar edhe 2 ton droge. Nga të dhënat e policisë italiane mësohet se në sasinë e sekuestruar dje janë zbuluar tri lloje narkotikësh, ku heroina dhe kokaina mësohet se hynin nga Holanda ndërsa marijuana nga Shqipëria. Ekspertët kanë zbuluar se transporti bëhej me kamionë të tonazhit të rëndë, ndërsa grupi funksiononte në bazë të një piramide, në krye të së cilës gjendeshin treshja e shqiptarëve, Edmond dhe Gerti Marku bashkë me Ditmir Vucaj.

Operacioni

Policia italiane bëri të ditur dje se kishte shkatërruar një rrjet ndërkombëtar të narkotikëve Shqipëri- Holandë dhe ka vënë në pranga 36 persona, kryesisht shqiptarë. Rrjeti i trafikantëve, i cili drejtohej nga vëllezërit Edmond e Gerti Marku si dhe Ditmir Vucaj, ishin në gjendje për të transportuar çdo lloj substance narkotike, shpesh në sasi shumë të mëdha me automjete të ndryshme. Pjesë e bandës, tashmë të arrestuar, janë dhe shqiptarët, Aleks Mejdani, Leonard Samkaj, Tafil dhe Daniel Popa, Arben dhe Shyqyri Demaj, Vullnet Rexha, Artur Braha, Sokol Ndoci, Martin Lulaj, Alfred Dekaj, Emilion Veka dhe Gentian Isufaj. Ata blinin pjesën më të madhe të drogës në Holandë, e ngarkonin në kamionë apo mjete të tjera dhe e nisnin direkt në Itali, duke përdorur zonën përreth Varezes si një qendër ku edhe niste shpërndarja nëpër zonat e përcaktuara. Operacioni mësohet se u krye nga financierët e GICO-s në Firence së bashku me bazën e Policisë Tatimore të Varezes. Hetimi ka nisur që në vitin 2010 dhe përfundoi me sekuestrimin e 2 tonëve drogë, prej tyre 15 kg kokainë, 1.9 tonë marijuanë, 54 kg hashash. Në total u ndaluan 69 persona, ku 16 janë arrestuar vetëm mëngjesin e djeshëm. Lënda narkotike e llojit kokainë futej në Itali nga Hollanda, ndërsa marijuana vinte nga Shqipëria. Pas urdhrit të lëshuar nga Gjykatat e Firences dhe Milanos gjithashtu janë konfiskuar disa prona, 9 makina dhe 13 llogari bankare të cilat sipas policisë i përkasin të dyshuarve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat