Burg për shkak të shkeljeve rrugore

Kronikë e zezë

Burg për shkak të shkeljeve rrugore

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 18:19

Gjatë muajit shtator të këtij viti 47 drejtues automjetesh kanë përfunduar në gjykatë për drejtim të parregullt, mungesë dokumentacioni si dhe largim nga vendi i aksidentit.

Në faqen zyrtare të gjykatës rezulton se kjo vepër penale mban numrin më të lartë të dosjeve në gjykim për këtë muaj, ndërsa në rrugët e vendit qarkullojnë një numër i lartë drejtuesish të automjeteve, të cilët nuk marrin parasysh vijat e bardha dhe semaforin.

Konsumimi i alkoolit gjatë drejtimit të automjetit, mangësitë në dokumentacion dhe gjithashtu largimi nga vendi i aksidentit, vijojnë të jenë ende shqetësim për Policinë Rrugore në menaxhimin e trafikut rrugor, dhe kjo bazohet në personat e proceduar në Gjykatë.

Vetëm për periudhën e muajit shtator, në Gjykatën e Tiranës janë 47 raste gjykimi për shkelje të rregullave të qarkullimit, ku Kodi i Ri Rrugor përcakton një minimum dënimi prej 10 ditësh burg e deri në tre, gjashtë apo nëntë muaj në varësi të shkeljes administrative. Dënimet mund të jenë edhe në disa vite në rast të aksidenteve me pasoja.

Sipas faqes zyrtare të Gjykatës së Tiranës rezulton se drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt, si dhe largimi nga vendi i aksidentit zënë pjesën më të madhe të personave të proceduar nga Policia dhe Prokuroria për muajin Shtator.

Pavarësisht këtyre masave, mënyra e lëvizjes në rrugë lë ende për të dëshiruar, pasi në të shumtën e rasteve drejtuesit e mjeteve bëhen shkaktarë të aksidenteve, duke mos respektuar minimumin e sigurisë rrugore, Semaforët dhe vijat e bardha.

Nga 47 proceset gjyqësore, gjykata e kryeqytetit ka dënuar katër drejtues të parregullt ndërsa në proces mbeten 43 të tillë, të cilët në pjesën më të madhe pas arrestimeve në flagrancë ndodhen me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat