Pranga kryeinspektorit të Mjedisit, gjobë 100 mijë lekë në muaj investitorit

Kronikë e zezë

Pranga kryeinspektorit të Mjedisit, gjobë 100 mijë lekë në muaj investitorit

Më: 30 shtator 2014 Në ora: 10:14

Disa muaj pas hetimeve të Prokurorisë së Durrësit, janë arrestuar në flagrancë dy drejtuesit e lartë të Inspektoratit të Mjedisit në këtë qytet, si edhe një eksperte kontabël, të akuzuar për “korrupsion pasiv....” (për zyrtarët) dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm” për eksperten. Drejtori i Inspektoratit të Mjedisit në Durrës, G. Balla dhe vartësi i tij, E. Bejko, nëpërmjet shtetases D. Nikolla, kërkonin një “pagesë mujore” prej një investitori të huaj, në këmbim të lejimit të ushtrimit të qetë të aktivitetit të tij privat, me objekt përpunim dhe eksportim të mbetjeve plastike. Nga hetimi ka rezultuar se zyrtarët e Inspektoratit të Mjedisit kërkonin dhe kanë marrë në mënyrë korruptive prej këtij subjekti 100 mijë lekë të reja në muaj, për disa muaj rresht. Hetimi është regjistruar në bazë të kallëzimit të administratorit të kompanisë private në Korrik 2014. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” parashikuar nga neni 244 e 259 të Kodit Penal.

Gjoba

Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi i huaj është administrator i një shoqërie private në Durrës. Objekti i veprimtarisë së shoqërisë së administruar prej tij, është përpunimi dhe eksportimi i mbetjeve plastike. Këtë aktivitet ka pak më shumë se 2 vjet që e ushtron në qytetin e Durrësit. Më datë 30 prill 2014, në ambientet e kompanisë ka shkuar një shtetas i cili më vonë u prezantuar se ishte me detyrën e shefit të Inspektoratit të Mjedisit të Rrethit Durrës, i quajtur E. Bejko. Pas debateve është prezantuar për pozicionin e punës që ka dhe më pas ka dërguar disa Inspektor të tjerë për të ushtruar kontroll të cilët kanë kërkuar lejen për ushtrimin aktiviteti. Duke pretenduar se kishte shkelje kanë filluar që të shkruajnë diçka që kishte bënte me një gjobë që, sipas atyre, ishte në vlerën 5 deri në 10 milionë lekë të reja. Pas ndërhyrjes së shtetases me emrin D. Nikolla e cila kryen dhe detyrën e ekonomistes, me qëllim që të mos vihej gjobë është kërkuar dhe dhënë si përfitim i paligjshëm një shumë prej 200 mijë lekë të reja. Më pas, nëpërmjet inspektorit të quajtur E. Bejko, janë takuar me kryeinspektorin G. Balla, i cili ka kërkuar për shkak të detyrës një shumë prej 100.000 lekë në muaj, me qëllim që administratori, të punonte i qetë pa asnjë shqetësim nga Inspektorati i Mjedisit në Durrës. Në funksion të faktit të mësipërm është lejuar përgjimi i bisedave telefonike të numrave të telefonit dhe vëzhgimi në ambientet publike të shtetases D. Nikolla me detyrë eksperte kontabël në Durrës dhe E. Bejko me detyrë Inspektor mjedisi pranë Inspektoratit të mjedisit Durrës. Në vijim të hetimit kanë rezultuar të dhëna që në këtë proces të kryerjes së veprave penale dyshohej se merrte pjesë dhe shtetasi G. Balla me detyrë kryeinspektor i Mjedisit në Durrës. Me datë 25 korrik 2014 rreth orës 19.25, administratori i kompanisë private, pasi ka tërhequr nga një bankë e nivelit të dyrë një shumë prej 100 mijë lekë, është nisur në drejtim të zyrës së kontabilitetit në posedim të shtetases D. Nikolla, ku në prani të saj, i janë dorëzuar shtetasit E. Bejko. Pasi ka marrë shumën, ai është takuar me Kryeinspektorin, G. Balla, në një lokal të quajtur “E...”. Ndërkohë, gjatë ditës së hënë, më 29 shtator 2014, ishte lënë për të paguar një shumë prej 200 mijë lekë, shtetasit E. Bejko, i cili i ka kërkuar si përfitim të paligjshëm për drejtorin e tij G. Balla. Pikërisht, në momentin e pagesës, është ndërhyrë nga forcat policore për arrestimin në flagrancë të personave të përfshirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat