Viktima tjera të çiftit që i zhvati 10 milionë të moshuarit: Dua para se ma kape gruan!

Kronikë e zezë

Viktima tjera të çiftit që i zhvati 10 milionë të moshuarit: Dua para se ma kape gruan!

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 22:07

Një ditë pas arrestimit të gruas së një të dënuari për gjobëvënie, policia ka marrë deklarimet e të dyshuarve për vjedhje me dhunë dhe shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie. Ndërkaq, burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë dje se veç rastit të denoncuar nga burri 65-vjeçar nga fshati Pinar, policia e Tiranës mësohet se ka në hetim edhe disa raste në ngarkim të Elinela Smaqit dhe bashkëshortit të saj Niko (Ardian) Smaqi.
Lajmi konfirmohet për Shekullin nga krerë të Policisë së Tiranës që thanë se nga hetimet e kryera është zbuluar se Elinela Smaqi ka përdorur “bukurinë” e saj jo vetëm ndaj fshatarit nga Pinari i Zall-Herrit, por edhe ndaj personave të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Burimet e Policisë thanë se janë së paku tri raste që janë duke u hetuar nga hetuesit e Policisë së Tiranës.

Burimet thanë se forma e mashtrimit dhe e futjes në kurth të personave dhe më pas shantazhimi i tyre, është thuajse i njëjtë si ai i realizuar me rastin e burrit 65- vjeçar nga fshati Pinari i Zall-Herrit në Verilindje të Tiranës.

Veç kësaj forme, hetuesit thanë se ka pasur edhe disa kallëzime që kanë mbërritur në zyrën e Hetimit të Vjedhjeve me Armë dhe me Dhunë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Sipas hetuesve, gjatë vëzhgimit të Elinela Smaqit dhe bashkëshortit të saj Niko Smaqi, edhe në këto raste kërcënimi ishte i qartë: dua para se më ke kapur gruan.

Ky ishte presioni i Smaqit, nëpërmjet telefonit dhe më pas ballë për ballë me pretë e tij.

Pasi i merrte në telefon, ai iu thoshte që të paguanin paratë nëse nuk donin që kjo çështje të shkonte me Kanun, apo të prisheshin familjet, pasi ai posedonte foto dhe prova të tjera të përfshirjes së tyre në lidhje apo histori intime me bashkëshorten.

Ende nuk dihet nëse çifti Smaqi ka arritur të marrë para nga persona të tjerë apo jo, por hetimet hedhin dyshime të forta mbi këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat