Suspendohet pijaneci i komunës

Kronikë e zezë

Suspendohet pijaneci i komunës

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 13:15

Pirja e rakisë në orarin e punës, zyrtarit të Komunës së Prishtinës, F.H, mund t’i kushtojë me përjashtim nga puna. Fillimisht, ai është suspenduar dhe pritet të dalë para komisionit disiplinor. Zyrtarë të komunës nuk tregojnë se sa zyrtarë janë suspenduar deri më tani me të marrë detyrën kryetari Shpend Ahmeti
Disa punëtorë të arkivave që e kanë punën më delikate, tash e tutje do të ushqehen me qumësht nga Komuna e Prishtinës. Por, F.H, zyrtar në sektorin e Gjeodezisë në Drejtorinë e Kadastrit, do t’i dukej qesharake nëse do t’i shkonte gota e qumështit në zyrë. Ai kohë pas kohe shkonte ‘xurxull’ i dehur nga rakia në punë. Në njërën prej ditëve e hetoi edhe drejtoresha e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, Nora Kelmendi.

Ajo mori masa menjëherë, e F.H, u suspendua nga puna të nesërmen. Këtyre ditëve do të mblidhet komisioni disiplinor për të kumtuar vendimin lidhur me fajin që rëndon mbi punëtorin e gjeodezisë. Gazeta Tribuna merr vesh se zyrtari në fjalë është suspendohet edhe para disa viteve nga organet komunale për të njëjtën arsye. Suspendimin e kanë pranuar edhe organet komunale.

“Ai është suspenduar sipas procedurave të parapara. Tash pritet të dalë para komisionit disiplinor”, tha shkurt Fitore Pacolli, këshilltare e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti. Menxhmenti i ri komunal prej që ka ardhur në krye të punës, nga muaji janar ka suspenduar nga puna dhjetëra zyrtarë, shumica e tyre që kanë aktakuzë.

Këshilltarja e kryetarit Ahmeti që është e ngarkuar të komunikojë me media në mungesë të zëdhënësit të komunës, nuk ka treguar se sa zyrtarë komunalë janë suspenduar nga puna për shkak të mos përmbushjes së detyrave zyrtare, ose elementeve tjera të ngjashme, përjashtuar zyrtarët me aktakuzë. Drejtoria e Kadastrit ndodhet në ndërtesën e re të Komunës së Prishtinës në lagjen ‘Arbëria’.

Zëvendësohet Inspektorati i suspenduar

Me të marrë detyrën, kryetari Shpend Ahmeti kishte suspenduar nga puna me shtatëdhjetë për qind të pagës pesë zyrtarë të komunës që kishin aktakuzë të ngritur nga prokuroria. Pas pak muajve Ahmeti kishte suspenduar edhe nëntë inspektorë të ndërtimit që patën probleme me ligjin. Të njëjtit u zëvendësuan me inspektorë të drejtorive tjera.

Por, në konkursin që qëndroi i hapur për disa javë, të premten u pranuan në punë nëntë inspektorë të rinj të ndërtimit. Inspektorë e pranuar në punë që kryesisht janë të moshës së re, janë; Syzana Pllana, Lorik Zhubi, Arbnor Murati, Votrin Emini, Arton Ajeti, Bashkim Ibrahimi, Blerim Thaqi, Arben Ulqinaku e Merita Mihovci.

Për këto vende të punës kanë aplikuar tridhjetë e tetë të interesuar. Ndërsa në kuadër të Drejtorisë së Inspeksionit, në pozitën Zyrtarë për Përmbarim është pranuar, Labinot Dibrani. Lidhur me suspendimet në Drejtorinë e Infrastrukturës, komuna ka pranuar në punë pesë inxhinierë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat