Dy viktima të reja të çiftit që i zhvati 100 mln të moshuarit

Kronikë e zezë

Dy viktima të reja të çiftit që i zhvati 100 mln të moshuarit

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 09:39

Një ditë pas arrestimit të të gruas së një të dënuari për gjobëvënie, policia ka marrë deklarimet e të dyshuarve, për vjedhje me dhunë dhe shtrëngimit me dhunë për dhënie pasurie. Ndërkaq burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë dje se veç rastit të denoncuar nga burri 65-vjeçar nga fshati Pinar, policia e Tiranës, mësohet se ka në hetim edhe disa raste në ngarkim të Elinela Smaqit dhe bashkëshortit të saj, Niko (Ardian) Smaqi. Lajmi konfirmohet për “Shekullin”, nga krerë të Policisë së Tiranës që thanë se nga hetimet e kryera është zbuluar se Elinela Smaqi, ka përdorur “bukurinë” e saj jo vetëm ndaj fshatarit nga Pinari i Zall- Herrit, por edhe ndaj personave të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur. Burimet e Policisë thanë se janë së paku tri raste që janë duke u hetuar dhe u shikuar nga hetuesit e Policisë së Tiranës, por se nuk jepen detaje mbi rastet e tjera të gjobëvënies, apo të shumave të kërkuara nga gruaja në këmbim të mos shantazhimit të personave.

Po kështu policia nuk bëri të ditur as emrat e personave, duke qenë se çështja është mjaft delikate dhe po kështu rastet janë nën hetim. Burimet thanë se forma e mashtrimit dhe e futjes së kurth të personave dhe më pas shantazhimi i tyre, është thuajse i njëjtë si ai i realizuar me rastin e burrit 65- vjeçar nga fshati Pinari i Zall- Herrit në Verilindje të Tiranës. Zbulimi i faktit është kryer nga hetuesit gjatë verifikimeve dhe ndjekjes së tyre të Elinela Smaqit, për llogari të rastit që ishte nën hetim. Mirë po veç kësaj forme, hetuesit thanë se ka pasur edhe disa kallëzime që kanë mbërritur në zyrën e Hetimit të Vjedhjeve me Armë dhe me Dhunë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Hetimi i rasteve të mësiëprme, mësohet se do të kryhet bashkëngjitur rastit për të cilin Elinela Smaqi u arrestua dhe akuzohet, bashkë me bashkëshortin e saj Niko Smaqi. Ky i fundit një ish- emigrant në Greqi që një pjesë të kohës kishte punuar si taksist, profesion të cilin ai e ushtroi disa kohë edhe në Shqipëri, deri sa u arrestua për grabitje me armë dhe me dhunë të një topografi nga Saranda.

Nëse rastet e tjera që gjithashtu janë nën hetim nga Policia do të provohen atëherë, rrethanat dhe akuzat për çiftin shantazhues mund të shtohen, ndërsa rreziku i rritjes së masës së dënimit ndaj tyre është më i mundshëm. Sipas hetuesve gjatë vëzhgimit të Elinela Smaqit dhe bashkëshortit të saj, Niko Smaqi, policia kishte vënë re se veç burrit nga Zall Herri, objekti i shantazhit të tyre ishin edhe persona të tjerë. Nga vëzhgimi dhe përgjimet e kryera, hetuesit kanë zbuluar së paku dy raste shantazhi, kur çifti kishte futur në kurth njerëz të ndryshëm dhe iu kërkonte para. Edhe në këto raste kërcënimi ishte i qartë: Dua para se më ke kapur gruan. Ky ishte presioni i Smaqit, nëpërmjet telefonit dhe më pas ballë për ballë me pretë e tij. Pasi i merrte në telefon, ai iu thoshte që të paguanin paratë nëse nuk donin që kjo çështje të shkonte me kanun, apo të prisheshin familjet, pasi ai posedonte foto dhe prova të tjera të përfshirjes së tyre në lidhje apo histori intime me bashkëshorten. Ende nuk dihet nëse çifti Smaqi, ka arritur të marrë para nga persona të tjerë apo jo, por se hetimet hedhin dyshime të forta mbi këtë. Ndërkaq tashmë, policia është në fazën e hetimit të tyre, por nuk bëhen të ditura detaje më të hollësishme.

Kredia dhe borxhi

Burri i moshuar, nuk ka pasur asnjë qindarkë që të mund të shlyente borxhin e majmë, por e shfrytëzoi faktin se ishte anëtar i bordit të një prej organizatave qeveritare që kreditonin fermerët e zonave të ndryshme në vend dhe ai ishte anëtar për Zall- Herrin. Për çdo fshatar që kërkonte kredi, në një masë prej 5 milionë lekësh të vjetra, B. Sh. i ndihmonte ata për të marrë kredi, por se në këmbim të kësaj ai kërkonte si komision 2 milionë lekë. Kjo ka bërë që ai të mund të grumbullonte paratë, dhe më pas të paguante “taksën” e Smaqit. Fillimisht sipas burimeve të policisë, burri i ka marrë plakut gjysmën e parave, ndërsa më pas i ka marrë gjysmën tjetër, duke e çuar shumën e paguar në 87 milionë lekë. Në muajin gusht Smaqi, ka dalë sërish nga burgu dhe i ka kërkuar një shumë parash sërish plakut. “E kishim lënë për 100 milionë”,- mësohet t’i ketë thënë Smaqi, plakut. I gjendur ngushtë plaku ka pranuar fillimisht, por para nuk kishte më. Në këto kushte ai trokiti në Policinë e Tiranës, ku sqaroi hallin e tij. Ata i kërkonin edhe një pagesë tjetër prej rreth 13 milionë lekësh të vjetra. Sipas hetimit paratë do të dërgoheshin dhe liheshin në Kinostudio në shtëpinë e vjehrrës së Smoqit, nënës së Elinelës. Pikërisht aty dje policia i vuri prangat gruas me akuzën e shtrëngimit me dhunë të dhënies së pasurisë.

Gruaja u arrestua në autostradë, burrit iu komunikua akuza në burg

Ditën e premten pasdite, policia e Tiranës arrestoi me vendim të Gjykatës së Tiranës, Elinela Smaqin, 38 vjeçe nga Lezha, banuese në Tiranë. Gruaja u arrestua pasi kishte dalë nga puna, ndërsa efektivët e njësisë operacionale i vunë prangat dhe i komunikuan asaj masën e sigurisë në mungesë. Elinela Smaqi, 38 vjeçe nga Mirdita banuese në Tiranë, u arrestua pardje nga Drejtoria e Policisë së Tiranës në bazë të një vendimi arresti të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, me akuzën e “shtrëngimit me dhunë për dhënien e pasurisë”, apo siç njihet ndryshe edhe si gjobëvënie. Lajmi u bë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës që thanë se Smaqi, akuzohet se në bashkëpunim me të shoqin, kanë shtrënguar me dhunë për dhënie pasurie shtetasin B. Sh, 65 vjeç nga fshati Pinar i Zall- Herrit. Arrestimi mësohet se është kryer dje në mbrëmje nga efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Tiranës në bashkëpunim me hetuesit e zyrës së Grabitjeve me Armë dhe me Dhunë. Po dje hetuesit e Policisë së Tiranës, i komunikuan në burgun e Vaqarrit, bashkëshortit të Elinela Smaqit, Niko (Ardian) Smaqit, i akuzuar se ka kërcënuar dhe shantazhuar 65- vjeçarin B. Sh., me faktin se i moshuari kishte pasur një histori rozë me bashkëshorten e të dënuarit, po ashtu për të njëjtën vepër penale. Marrëdhënia e të dëmtuarit me Elinela Smaqin, sipas burimeve të policisë mësohet se ka nisur një vit më parë, kohë gjatë së cilës policia dyshon se gruaja mund t’i ketë marrë para të tjera të dëmtuarit, duke luajtur rolin e dashnores që kërkonte para.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat