Vrasja e dy kunatave, stërnipi kërkoi monedha ari në shtëpinë e tezeve të nënës

Kronikë e zezë

Vrasja e dy kunatave, stërnipi kërkoi monedha ari në shtëpinë e tezeve të nënës

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 11:39

Ka menduar se në shtëpinë e tezeve të nënës së tij fshihen monedha ari. Nuk dihet se kush ia kishte thënë, por iu kishte krijuar ideja, se një kushëriri i tij, i kishte sjellë këto monedha nga jashtë dhe ua kishte besuar grave të moshuara. Kështu, i shtyrë nga miku i tij Indrit Shaqja, 41 vjeç, një emër i spikatur i botës së krimit në Shijak, stërnipi i Vavëve ka mbërritur në shtëpinë e të moshuarave dhe ka kryer një kontroll të imtësishëm për gjetjen e materialeve të kushtueshme. Madje, për kërkimin është përdorur edhe pajisje e posaçme. Në fakt gjithë veprimet e 28 vjeçarit, Artur Kaçanolli, 28 vjeç, janë dirigjuar nga Shaqja, por që në kërkimet për monedhat e arit, ata kanë dështuar. Mirëpo, Kaçanolli, gjatë kontrolleve në banesë, ka hasur në shumën e të hollave, që pretendohet se kanë qenë rreth 2 milion lekë të vjetra. Kaçanolli, gjatë kërkimeve, nuk është treguar i kujdesshëm, duke lënë gjurmë në shtëpi, gjurmë që janë identifikuar pas masakrës, ku u gjetën të pajeta në banesën e tyre dy kunatat Gjinofeva dhe Elsa Vava. Indrit Shaqja, miku i Kaçanollit, mesnatën e 1 shtatorit, ka marrë me vete të njohurin e tij, Velson Elmazi, një 28-vjeçar nga Elbasani dhe me padijeninë e Kaçanollit ka shkuar në shtëpinë ku banonin tri gratë e moshuara të familjes Vava. I pajisur me një pistoletë, Shaqja ka hyrë nga dritarja e katit të parë të shtëpisë dy katëshe dhe bashkë me Elmazin janë ngjitur në katin e dytë ku kanë nisur kërkimet për paratë. Grave iu kanë mbyllur gojën me ç`kanë mundur e për pasojë ato humbën jetën nga asfiksia, ndërsa policia pas plot 16 ditë hetimesh intensive, solli sërish në shtëpinë e masakrës dy prej protagonistëve, ndërsa Shaqja u shpall në kërkim.

Rrëfimi i të arrestuarve

“Në banesë kemi hyrë unë dhe Indriti. Arturi nuk ka qenë me ne. Indriti kishte edhe një pistoletë me vete, po nuk kishte qëllim të vriste askënd. Sapo kemi nisur të kontrollojmë gratë kanë nisur të bërtasin dhe të kërkojnë ndihmë. Atëherë iu kemi mbyllur gojën me çfarë kemi gjetur. Njërës i futëm në gojë një copë peshqiri apo çarçafi nuk e mbaj mend mirë, ndërsa tjetrës e di që i kemi vënë tapa. Më pas që mos të bërtisnin, sërish iu kemi mbyllur gojën me skoç. Kërkuam për rreth një orë dhe më pas Indriti mori vetëm ato para që gjetëm dhe dolëm. Prej shumës që ka gjetur aty, mua me ka dhënë diku te 100 mijë lekë (të vjetra), nuk i mbaj mend mirë, ndërsa të tjerat i mori vetë dhe u ndamë. Arturi i kishte thënë se në shtëpinë e tyre kishte monedha ari dhe ndaj kërkuam. I lamë të lidhura ashtu dhe dolëm se patëm frikë se do të bërtasin dhe do të na zbulojnë. Nuk e ditëm që do të shkojë puna aq keq”. Kështu ka rrëfyer gjithçka ka ndodhur mesnatën e 1 shtatorit në shtëpinë e familjes Vava, Velson Elmazi, ndërsa policia ka mundur të zbulojë gjithë mekanizmin e ngjarjes së rëndë duke zbuluar fillimisht gjurmët stërnipit të viktimave në banesë. Pas identifikimit të gjurmëve, Artur Kaçanolli është vënë në përgjim dhe madje për të siguruar gjetjen e bashkëpunëtorëve, policia ka përdorur edhe mjete të tjera, duke infiltruar edhe persona të afërt të të riut. Kaçanolli ka mohuar në mënyrë kategorike të ketë marrë pjesë në atë ngjarje ndërsa iu ka thënë policisë: “Unë nuk e dija se Indriti ka shkuar tek shtëpia e tyre. Nuk kam qenë unë i pranishëm aty dhe madje Indriti nuk më ka vënë as në dijeni. Kur e mora vesh se çfarë ka ndodhur me ka shkuar mendja tek Indriti por nuk e besova”. Kaçanolli ka pranuar se ka kërkuar në shtëpinë e tezeve të nënës së tij për monedha por nuk ka patur për qëllim të iu bëjë keq, ndërkohë që në shtëpinë e tij është gjetur edhe një sasi e madhe armatimi.

Zbulimi dhe arrestimi

Menjëherë pas gjetjes së pajetë të dy grave të moshuara në katin e dytë të ndërtesës dy kateshë në mes të qytetit të Durrësit, policia ngriti dyshimet e para mbi njerëz të afërt me viktimat. Pistat u shtrinë në dy drejtime, në atë të një konflikti për prona por edhe atë të grabitjes, edhe pse shuma e grabitur në banesë nuk e justifikonte peshën e krimit. Ekspertët më të mirë të hetimit të Krimeve të Rënda jo vetëm nga Durrësi por edhe nga Tirana, morën në duar vendin e ngjarjes duke arritur të fiksojnë gjurmë këmbësh. Policia që pak orë pas zbulimit të masakrës bëri me dije se janë marrë në pyetje të gjithë njerëzit e afërt të viktimave. Madje shumë prej tyre edhe kanë dëshmuar për ditë me radhë, e një prej tyre mësohet se ka qenë edhe Arturi, personi gjurmët e të cilit çuan në zbulimin e krimit horror. Referuar burimeve të Policisë së Durrësit bëhet me dije se në fakt, stërnipi i shtëpisë së Vavëve i zbulua shpejt si i përfshirë në ngjarje, por prej më shumë se dy javësh është punuar fort për të shkuar tek dy personat e tjerë. Sipas të dhënave, ka dyshime që autori kryesor i kësaj ngjarjeje, Indrit Shaqja të jetë larguar jashtë vendit menjëherë pas ngjarjes ndërsa dy të arrestuarit e djeshëm kanë qenë përgjatë gjithë kohës nën mbikëqyrjen e policisë. Dy të moshuarat Elsa Vava, 72 vjeçe, dhe Gjinovefa Vava, 77 vjeçe, banore të lagjes 11 në Durrës u gjetën të pajeta mëngjesin e datës 02 shtator nga djali i njërës prej viktimave, ndërsa në katin e parë të shtëpisë gjendej në gjendje të rënduar psikologjike motra e Gjinovefës, e cila është e paralizuar, por që nuk i kishte parë autorët tek hynin as tek dilnin, vetëm kishte dëgjuar zhurmat.

Ja kush janë tre personat e përfshirë në vrasje

Indrit Shaqja, 41 vjeç, baba i dy fëmijëve mësohet se është një person i skeduar në policinë e Durrësit dhe në sistemin tonë të drejtësisë. Përveç autorësisë së këtij krimi të rëndë, emrit të tij i referohen disa krime kundër jetës, ndër to, sipas policisë rezulton i dyshuar edhe për dy atentate, ngjarje që kanë mbetur pa autor. Policia e Durrësit ka bërë me dije ditën e djeshme se mes Shaqes dhe Artur Kaçanollit, stërnipit të Vavëve ekzistonte një lidhje miqësie, ndërsa për Kaçanollin, blutë e Durrësit bënë me dije se nuk rezulton të jetë person problematik. Ai njihej para shumë kohësh si përdorues i lëndëve narkotike, por që nuk është i skeduar për vepra penale. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur një sasi prej 65 fishekësh luftarakë, 4 ndezësa detonatorë si dhe një sasi fitili zjarr përcjellës. Ndërkohë në lidhje me 28-vjeçarin nga Elbasani, policia bëri të ditur zyrtarisht që është person mjaft problematik dhe se ka qenë i dënuar më parë me pesë vite burg për ‘marrëdhënie seksuale me dhunë’. Gjithashtu Velson Elmazi, rezulton me precedent edhe në fushën e trafikimit dhe të kultivimit të lëndëve narkotike, ndërsa tashmë ndaj tyre është ngritur akuza e grabitjes me pasojë vdekjen në rrethana rënduese.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat