Biznesmeni: “Gardiania seksi” më mori makinën, 2 shtëpi dhe 60 mijë €

Kronikë e zezë

Biznesmeni: “Gardiania seksi” më mori makinën, 2 shtëpi dhe 60 mijë €

Më: 18 shtator 2014 Në ora: 15:51

Prokuroria ka zbardhur mënyrën se si gardiania e burgut të Vaqarit dhe miku i saj, zhvatnin biznesmenët duke u bërë shantazh. “Karremi” ishte Klodiana Driza që u prezantohej “viktimave” si Klodi dhe pas konsumimit të ndonjë kafeje në lokal ata linin edhe një takim tjetër më “intim”.
Si në një skenar filmi, në takimin e dytë shfaqej “bashkëshorti” ose “i fejuari” i saj që pasi u bënte foto kompromentuese u bënte presion duke u kërkuar shuma të ndryshme parash. Denoncimi që ka vënë në lëvizje policinë ka qenë ai i një biznesmeni gipsi me iniciale E.H. që “çifti” i kishte grabitur 2 shtëpi, një makinë dhe 60 mijë euro. Pas marrjes së dy denoncimeve Ermal Mrruku dhe Klodiana Driza janë arrestuar. Ata do të gjykohen nga Gjykata për krime të Rënda nën akuzën e shtrëngimit për dhënie pasurie. Ja si e përshkruan Prokuroria për Krime të Rënda këtë ngjarje në dosjen e saj që lapsi.al ka mundur të sigurojë.

Kallëzimi i parë

Më 5 shtator 2014 ka bërë kallëzim E.H., biznesmen gipsi. Ai ka shpjeguar se gjatë muajit qershor 2013 është njohur me një vajzë me emrin Klodiana Driza, nga Tirana, e cila punonte si kameriere në lokalin me emrin "XXX", në zonën e njohur si "Misto Mame", këtu në Tiranë. Njohja midis tyre ka avancuar dhe më datë 11.06.2013 kanë vendosur të lëvizin së bashku nga Tirana, me autoveturën e kallëzuesit tip "BMË". Në dalje të qytetit Tiranë për në drejtim të qytetit Elbasan, në afërsi të një karburanti, makinës që drejtohej prej kallëzuesit, ku brenda saj gjendej edhe Klodiana Driza, i është prerë rruga nga një makinë me xhama të zinj, nga ku ka dalë Ermal Mrruku, banor i qytetit Tiranë, me armë zjarri pistoletë në dorë dhe duke e kanosur për vrasje. Në vijim, kallëzuesi nën presionin e armës së zjarrit tregon se ka zbritur nga timoni i makinës së tij dhe është zhvendosur në vendin e parë, ndërsa nga vendi i parë i makinës ka lëvizur dhe shtetësja Klodiana, duke kaluar mbrapa në sedilje, ndërsa makinën e ka marrë për ta drejtuar shtetasi Ermal. Më pas ata kanë shkuar në drejtim të Krrabës, kanë devijuar rrugën kryesore dhe, duke lëvizur në një rrugë të paasfaltuar, kanë përfunduar në afërsi të një liqeni të vogël. Si rrugës, edhe aty, shtetasi Ermal, sipas kallëzuesit, ka vijuar kërcënimin duke pretenduar se e kishte fyer, pasi shoqërohej me gruan e tij me të cilën bashkëjetonte. Në këtë vend, po sipas kallëzuesit, shtetasi Ermal ka qëlluar dy herë me pistoletë për ta kërcënuar dhe, duke i bërë presion atij, i ka kërkuar si shpagim ndaj veprimeve të tij, t'i jepte makinën si dhe një shtëpi, për të cilën ai ishte në dijeni se kallëzuesi merrej me biznes. I ndodhur në këto kushte, kallëzuesi shprehet se ra dakord me të t'i jepte makinën dhe një shtëpi, por me qëllim që ai ta linte të qetë. Më pas, shtetasi Ermal e ka detyruar kallëzuesin, sipas deklarimeve të tij, të bëjë një fotografi duke u përqafuar me shtetasen Klodiana, e cila ishte aty. Kjo fotografi sipas kallëzuesit do të shërbente që Ermali të bënte shantazh te familja, e kryesisht tek bashkëshortja e tij. Po ashtu, biznesmeni ka shpjeguar se Ermali kërcënonte edhe Klodianën, të cilën e kishte qëlluar me shuplaka disa herë në sy të tij, duke u munduar të krijonte idenë se ajo nuk ishte pjesë e skenarit të përgatitur më parë prej tyre.

Në vijim, kallëzuesi deklaron se makinën e mësipërme po atë ditë ia ka shitur Ermalit një milion lekë, duke bërë kontratën tek noteri, por pa marrë para prej tij. Pas rreth një jave, Ermal Mrruku i ka marrë pa para një apartament në Tiranë. Dy javë më pas, sërish me kërcënimin se fotografinë e bërë prej tij me shtetasen Klodiana do t'ia jepte gruas së tij, i ka kërkuar një shtëpi për vajzën dhe e ka marrë po në të njëjtën zonë, me sipërfaqe 63 m2. Në muajin gusht 2013, shtetasi Ermal, sipas kallëzuesit i ka marrë sërish një sasi prej 30 mijë eurosh, duke pretenduar se i duheshin për të mbyllur një çështje gjyqësore. Kërcënimet e shtetasit Ermal, sipas biznesmenit, nuk përfundojnë me marrjen e sendeve dhe parave të mësipërme, pasi nga muaji shtator 2013 deri në muajin shkurt 2014, atij i ka marrë edhe një sasi prej 30 mijë eurosh të tjera, duke shkuar shuma e parave të marra gjithsej 60 mijë euro.

Kallëzimi i dytë

Më datë 07.07.2013, pranë Seksionit të Vjedhjeve me Dhunë dhe Armë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka bërë kallëzim A.XH., i cili ka shpjeguar se në lagjen e tij kishte njohur para disa kohësh një vajzë me emrin Klodi. Sipas tij, ajo punonte në një pikë lotarie sportive për llogari të një personi me emrin Ermal, që më vonë i është prezantuar si bashkëshorti i saj. Pas njohjes me vajzën, A.Xh. ka treguar se ka vijuar kontaktet me të, duke u takuar në disa raste jashtë ambienteve të punës së saj. Në takimin e datës 06.07.2013 me kërkesë të vajzës, A.Xh. tregon se është diktuar nga personi që hiqej si bashkëshorti i saj. Vendi i takimit me Ermalin ka qenë rruga afër universitetit "XXXX", ku ky i fundit, nëpërmjet kërcënimit i ka marrë në makinën e tij të dy dhe i ka dërguar në afërsi të fshatit Baldushk. Në këtë vend, ai ka zbritur nga makina kallëzuesin dhe, duke e kërcënuar për takimin që sipas tij ka bërë me bashkëshorten e tij, i ka kërkuar në formë "gjobe", fillimisht një sasi prej 5000 eurosh e në vijim një sasi më të vogël, atë prej 2000 eurosh. A.XH., pretendon se ka pranuar kërkesën e Ermalit, me qëllim shmangien e konfliktit me të. Sipas bisedës së bërë, ai duhej ta paguante shumën e lekëve deri në datën 15.07.2013. Personi me emrin Ermal është identifikuar si Ermal Mrruku, ndërsa vajza Klodiana si Klodiana Driza, të cilët janë marrë dhe si persona nën hetim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat