Vetëhelmohet nëna e tre fëmijëve, bashkëshorti e dhunonte prej vitesh

Kronikë e zezë

Vetëhelmohet nëna e tre fëmijëve, bashkëshorti e dhunonte prej vitesh

Më: 17 shtator 2014 Në ora: 12:37

Dhunohej sistematikisht prej bashkëshortit, i jep fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë nëna e tre fëmijëve.
Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, të cilat njoftuan se mbrëmjen e së hënës është vënë në pranga për “shkaktim vetëvrasje” 53-vjeçari Faslli Senka, banor i fshatit Luar të Komunës Kuman në Rrethin e Fierit, pasi ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij 44-vjeçare D. Senka, e cila më pas ka konsumuar fostoksinë dhe nuk ka mundur të mbijetojë, edhe pse ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Vetëvrasja e nënës

Nga burime të besueshme mësohet se ka qenë pasditja e së hënës kur vëllai i 44-vjeçares D. Senka ka marrë një telefonatë prej së motrës, e cila i ka thënë se kishte konsumuar fostoksinë, pasi nuk mund të jetonte më nga dhuna e ushtruar prej të shoqit. Menjëherë pas kësaj telefonate, vëllai dhe të afërm të tjerë të viktimës kanë shkuar në shtëpinë e saj dhe e kanë transportuar drejt urgjencës së spitalit të Fierit. Por, e vetëhelmuara nuk ka mundur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes së mjekëve dhe ka ndërruar jetë rreth orës 18:30 të së hënës. Sipas burimeve të gazetës, gjatë deklarimeve të dhëna në polici, vëllai i viktimës ka pohuar se e motra i kishte treguar arsyen e aktit fatal dhe i kishte lënë amanet djalin për ta kujdesur.

Dëshmia e vëllait

“Më mori në telefon dhe më tha se i kishte dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë, pasi nuk mund të duronte më dhunën dhe presionin psikologjik që ushtronte mbi të bashkëshorti. Më tha se Faslliu i kishte thënë se do ta mbyste në pus dhe se nuk mund ta duronte më këtë gjendje në shtëpinë e tyre. Në fund më tha që të kujdesesha për djalin”, mësohet të ketë pohuar vëllai i viktimës para hetuesve. Ai ka shtuar se shkak i këtij vendimi të motrës së tij është bërë sjellja e dhunshme e bashkëshortit të saj, Faslliut. “Faslliu e dhunonte herë pas here motrën time. Me sa kam qenë unë në dijeni. Kjo situatë ka disa vite që vazhdon të jetë e njëjtë. Edhe pse herë pas here kemi diskutuar me kunatin dhe ai na ka premtuar se do të ndryshonte, çdo gjë ka vazhduar të jetë si më parë. Ai konsumon alkool dhe për këtë arsye e humbiste kontrollin dhe bëhej i dhunshëm. Madje, të shtunën, ajo erdhi në shtëpinë time, pasi ai e kishte rrahur. Por të dielën u kthye sërish në shtëpi se nuk donte të krijonte situata të sikletshme për të birin. I thashë që të qëndronte disa ditë në shtëpinë time e të qetësohej, por vendosi dhe iku në shtëpinë e saj. Pastaj mësova se ai e kishte dhunuar e ofenduar edhe të dielën, edhe të hënën në mëngjes dhe pasdreke, pak kohë para se të më telefononte e të më thoshte se kishte konsumuar fostoksinë”, mësohet të ketë rrëfyer në polici vëllai i viktimës.

Denoncimi në polici

Nga burime të besueshme të bluve mësohet se viktima e kishte denoncuar Faslliun në polici paraditen e së hënës. Burimet pohojnë se aty ka mbërritur një oficer policie, i cili pasi ka marrë kontakt edhe me të prangosurin, edhe me viktimën, ka konstatuar se situata ishte e qetë. “Në momentin kur në shtëpinë e Faslli Senkës ka mbërritur punonjësi i policisë, kanë mbërritur edhe të afërmit e tij, të cilët i kanë tërhequr vëmendjen të arrestuarit”, – pohojnë burimet policore, duke justifikuar mosndërhyrjen e tyre në kohë për të parandaluar humbjen e një jete.

Sherri i fundit

Por, pasi është larguar efektivi i policisë dhe të afërmit e tjerë, 53-vjeçari Senka ka shpërthyer sërish në dhunë ndaj së shoqes. Pas kësaj, 44-vjeçarja ka vendosur t’i japë fund jetës duke pirë fostoksinë. Mësohet se këto detaje të konfliktit të fundit mes çiftit Senka janë zbuluar nga vetë viktima gjatë bisedave të fundit telefonike që ajo ka pasur me familjarët e saj. D. Senka, lindur në fshatin Vlosh dhe banuese në Luar, ishte nënë e tre fëmijëve, dy vajzave të cilat ishin martuar dhe një djali që jetonte me prindërit. Sipas banorëve të zonës dhe të afërmve të viktimës, bashkëshorti i saj Faslli Senka njihet si një person me natyrë konfliktuale dhe që konsumon pije alkoolike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat