Dhunojnë dy efektiva policie, arrestohen shoqëruesit e punonjësit të SHISH

Kronikë e zezë

Dhunojnë dy efektiva policie, arrestohen shoqëruesit e punonjësit të SHISH

Më: 1 shtator 2014 Në ora: 11:07

Dy shtetas u arrestuan nga strukturat e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër, pasi u kapën në flagrancë duke goditur gjatë ushtrimit të detyrës, dy punonjës të qarkullimit rrugor.

Shtetasit janë Iliaz Neli, 59 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi, dhe Argjend Shehu, 29 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë. Ndaj tyre u mor masa e arrestit në flagrancë për kryerje të veprës penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.

Nga hetimet paraprake rezulton se dy punonjësit e policisë së qarkullimit rrugor, gjatë kryerjes së shërbimit në rrugën ‘Tercilio Kardinali’, në qytetin e Peshkopisë, kanë konstatuar një automjet tip ‘Mercedes Benz’, i cili po udhëtonte në krahun e kundërt të lëvizjes në këtë rrugë me një korsi kalimi.

Pas kësaj punonjësit e policisë kanë kryer ndalimin e mjetit, që drejtohej nga shtetasi A.N, 39 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Tiranë, i cili është prezantuar si punonjës i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Ndërkohë që punonjësit e policisë po kryenin procedurat standarde të konstatimit të kundravajtjes rrugore, shtetasit Iliaz Neli dhe Argjend Shehu kanë dalë nga automjeti, i cili drejtohej nga shtetasi A.N, dhe kanë goditur me grushte punonjësit e policisë rrugore.

Shtetasi A.N, punonjës i SHISH, nuk u përfshi në konflikt, ndërkohë që u arrestua për drejtimin e automjetit në gjendje të dehur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat