Në rrethana ende të panjohur mbrëmë në fshatin Shalë të Lipjanit, është plagosur një person, i cili nga plagët e marra ka vdekur në QKUK.
Sipas policisë, viktima ishte dërguar në QKMF-Drenas dhe më pas është dërguar në QKUK ku nga plagët e marra ka ndërruar jetë. Ndërsa, i dyshuari ka pranuar tretman mjekësor në QKUK pasi që ishte i shqetësuar-tronditur lidhur me rastin e ndodhur, më pas i njëjtit është arrestuar.
Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe konfiskuar revolen prodhim “Çekosllovak”, trembëdhjetë fishekë të kalibrit 7.65 mm, një karikator, dhe një gëzhojë.
Arma e konfiskuar, dyshohet se është përdorur nga i dyshuari në këtë rast. Po ashtu, edhe babai i të dyshuarit, është arrestuar pasi që arma ishte pronë e tij dhe ndaj tij është hapur rast “Posedim i paautorizuar i armës”.
Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti është duke u hetuar nga njësiti përkatës policor.