I shoqi i vdiq në aksident, familjarët e tij tentojnë t’i marrin me dhunë fëmijën

Kronikë e zezë

I shoqi i vdiq në aksident, familjarët e tij tentojnë t’i marrin me dhunë fëmijën

Më: 29 gusht 2014 Në ora: 15:01

Tepelenë- Dhuna në familje nuk ndodh vetëm te çiftet e reja. Një 26- vjeçare nga Tepelena, nënë e dy fëmijëve ka rënë pre e dhunës së ushtruar nga xhaxhai i të shoqit të saj. Shkak ka qenë kujdestaria e fëmijëve të 26-vjeçares.
Ngjarja ka ndodhur 4 ditë më pare, kur 51-vjeçari M. Tafilaj nga Tepelena ka goditur me grushta në fytyrë e trup të venë e djalit të vëllait, duke i shkaktuar asaj dëmtime fizike.
Sipas rrëfimit të vetë të dëmtuarës, gjithçka ka ndodhur në qendër të qytetit Tepelenë në prani të djalit të saj të vogël 5-vjeçar, të cilin 51-vjeçari kërkonte t’ia rrëmbente nga duart.
Pas kundërshtimit të nënës ai e ka goditur me grushta dhe si pasojë e goditjes 26-vjeçarja ka humbur ndjenjat. Kanë qenë kalimtarët e rastit, të cilët kanë lajmëruar më pas ambulancën.
Konflikti midis palëve duket se ka si shkak kryesor paaftësinë e nënës për t’u kujdesuar për fëmijët, pretendim i ngritur nga familjarët e të shoqit. 4 vite më parë i shoqi i saj humbi jetën në një aksident rrugor, ndërsa Yllka Tafilaj pësoi goditje të rëndë në kokë.
Sot ajo ka si të ardhura të vetme pagesën e kempit, ndërsa shprehet se ka të nevojshme të punojë për të rritur fëmijët e saj. Ajo kërkon ndihmën e shtetit, ndërsa aktualisht është nën një urdhër mbrojtjeje, ndërkohë që ndihet e frikësuar për veten dhe fëmijët e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat