Vazhdojnë kërkimet e turistit austriak

Kronikë e zezë

Vazhdojnë kërkimet e turistit austriak

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 13:01

Policia e Lushnjës po vazhdon kërkimet për një turist austriak 62 vjeç, me inicialet E.A, i cili rezulton i zhdukur në rrethana tepër misterioze.

Ai ka humbur kontaktet që prej datës 16 gusht, ndërkohë që vetëm në datën 20 gusht është bërë denoncimi për zhdukjen e tij.


Denoncimi për humbjen e turistit është bërë nga një 43-vjeçare me inicialet E.K, banuese në qytetin e Lushnjes e cila ka deklaruar dhe pohuar se shtetasi austriak ka qenë i akomoduar në Lushnjë nën kujdesin e një shoqate që operon në këtë qytet dhe që pret çdo vit turistë nga e gjithë bota. Sipas gruas, ai ka mbyllur telefonin dhe askush nuk pasur mundësinë të kontaktojë me të prej disa ditësh.

“Jam administratore e një shoqate në Lushnjë. Çdo vit vijnë turistë në Lushnjë dhe ne si shoqatë i presim dhe i akomodojmë duke shërbyer edhe si operatorë turistikë për ta. Shtetasi 62-vjeçar E. A., nga Austria, në datën 16 gusht është nisur për në Fier e më pas donte të vazhdonte për në Gjirokastër. Ai ka udhëtuar i vetëm, pasi ka qenë dhe më parë në Shqipëri”, ka thënë denoncuesja.

Policia sqaron se ai ka me vete dokumente identifikimi, të cilat e bëjnë lehtësisht të identifikueshëm. Nuk dihet nëse 62-vjeçari vuante nga ndonjë sëmundje. Sipas policisë, nëpërmjet ambasadës do të njoftohen edhe autoritetet austriake lidhur me rastin, ndërsa shpresojnë që turisti të mos ketë pësuar ndonjë incident.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat