Vrasja në xhami ka tronditur shqiptarët e besimit mysliman

Kronikë e zezë

Vrasja në xhami ka tronditur shqiptarët e besimit mysliman

Më: 23 gusht 2014 Në ora: 09:59

Ngjarja e rëndë që ndodhi të premten në qytetin e St.Gallenit ka tronditur qytetarët e vendit, e veçmas të tronditur mbetën shqiptarët e besimit mysliman që në ato momente gjendeshin në xhami duke falur namazin e xhumasë.

Ata tregojnë se janë tmerruar me vrasjen makabre të bashktadhetarit të tyre, menjëherë pas „namazit të xhumasë”, një ritual i përjavshëm i faljes të premteve në xhaminë “El-Hidaje”.

66-vjeçari Gani Berisha nga Prizreni kishte parë me sy vrasjen makabre të bashktadhetarit me origjinë nga Presheva.

“Tmerr i madh me pa një ngjarje të këtillë. Janë raste shumë të rralla të vrasjeve në xhami. Kjo na ka tronditur të gjithëve”, rrëfen për mediat shqiptare rastin Berisha.

Besimtarët e mbledhur në panikë kanë braktisur xhaminë “El-Hidaje”, ndërsa autori i vrasjes është dëgjuar duke thënë: “Mos u tutni se u kry”, thonë dëshimtarët.

“Mezi kam dalë nga xhamia, të gjithë ishin frikësuar me të dëgjuar krismat”, thotë Berisha.

Plaku Berisha thotë se nuk lejohen vrasjet as me “Kanun” në xhami, duke dyshuar se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje.

Duke u bazuar në dëshmitë e të pranishmëve në momentin e vrasjes, ka raportuar të premten se vrasja dyshohet se kishte ndodhur për motive hakmarrjeje.

“Një 50-vjeçar vrau me 5 plumba një shqiptar po të njëjtës moshë për hakmarrje, ngase ia paska vrarë vëllain”, kishtë thënë Burim Berisha.

Më tutje Berisha thotë se bëhet fjalë për një ngatërresë familjare që kishte fillet para 20 vjetëve në vendin e tyre të origjinës.

Autori i vrasjes nuk ishte xhematë i rregullt i xhamisë "El Hidaje" në St.Gallen.

Ai kishte ardhur për të kryer vrasjen nga regjioni i Sargans-it të Zvicrës.

Në një njoftim të xhamisë El-Hidaje të lëshuar pas rastit të kobshëm, imami i kësaj xhamie, Mehas Alija dhe kryesia e saj thonë se motivet e vrasjes ende nuk janë të njohura.

„Rasti është nën hetime policore dhe kanë lutur xhematin që të mos përflitet dhe të spekulohet për rastin“, thuhet në njoftim.

„Bëjmë thirrje për përmbajtje dhe durim, kurse familjes së të ndjerit i shprehim ngushëllimet tona“, thuhet më tutje në njoftimin e imamit dhe kryesisë së xhamisë El-Hidaje në Winkel të St.Gallenit.

Vrasjen në xhami e konfirmon edhe Policia e qytetit të Sankt Gallenit, e cila pak pas orës 14 ka marrë një telefonatë për të shtëna në xhami.

Me të arritur në vendngjarje, policia bën të ditur se ka arrestuar një burrë të armatosur.

Në vendin e lutjeve brenda xhamisë, njoftojnë ata, është gjendur një burrë i vdekur.

Momentalisht thonë se janë duke hetuar rastin dhe duke intervistuar të arrestuarin si dhe dhjetë persona të tjerë, të cilët në ato momente gjendeshin në xhami.

Megjithatë, identitetin e viktimës dhe të arrestuarit policia thotë se ende nuk mund t’i konfirmojë me saktësi.

Ndërkohë që hetimet për rrjedhën e ngjarjes dhe mbi motivin që ka çuar deri te vrasja janë duke vazhduar.

Organet e rendit nuk kanë mundur t’i konfirmojnë, por as t’i demantojnë motivet e vrasjes të publikuara në media.

Të shtunën, bëjnë të ditur ata, do të kenë më shumë informacione për vrasjen në xhami.

Mediat mësojnë se policia ka liruar xhaminë „El-Hidaje“ në orët e vona të së premtes pas ekspertizës së kryer në vendin e ngjarjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat