Në dy raste të ndara policia e Ferizajt ka prangosur dy persona nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në raste ku janë përdorë armët e zjarrit. I dyshuari, A.Z 30 vjeç, është ndaluar nga policia si i dyshuar se ka kryer veprën penale, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Sipas policisë tek i dyshuari, është gjetur dhe konfiskuar arma gjysmë automatike dhe një karikator me dhjetë fishekë të kalibrit 7.62 mm. Dyshohet se e njëjta armë është përdorur dy ditë më parë në rastin e inkriminuar.
"Sipas raporteve të para të hetuesve, i dyshuari ka shtënë disa herë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së ankuesit, M.Th 56 vjeç në fshatin Bibaj. Sipas ankuesit, predhat kanë goditur kulmin e shtëpisë së tij si dhe kornizën e njërës prej dritareve. Ankuesi ka deklaruar po ashtu, se me të dyshuarin në vazhdimësi kanë pasur probleme rreth pronës", ka thënë zv/drejtori rajonal i policisë, kapiteni Basri Shabani.
Bëhet e ditur se Prokuroria Themelore në Ferizaj, të dyshuarit, A.Z. ia ka caktuar masën e ndalimit policor për 48 orë.
Lidhur me rastin e dytët, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor në Ferzaj, ka kryer kontrollin e shtëpisë dhe të objekteve përcjellëse të të dyshuarit, H.B. në fshatin Dremjak. Me këtë rast, hetuesit policor kanë gjetur dhe konfiskuar, një revole të tipit M57, një karikator me 54 fishek të kalibrit 7.52mm dhe një preparat për pastrimin e armës.
"I dyshuari, i ka deklaruar policisë, se armën e kishte blerë një vit më parë nga një person i panjohur për te, ndërsa për herë të fundit e kishte përdorur dy ditë më parë pas mesnate" ka thënë kapiteni Basri Shabani
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar ndërsa rasti ka kaluar për shqyrtim në procedurë të rregullt gjyqësore.