Para 4 vitesh i vranë babanë, sot vranë 14 vjeçarin dhe xhaxhain e tij

Kronikë e zezë

Para 4 vitesh i vranë babanë, sot vranë 14 vjeçarin dhe xhaxhain e tij

Më: 1 gusht 2014 Në ora: 22:27

Pal Hili 14 vjeçar dhe xhaxhai i tij Hil Hili 45 vjeçar janë vrarë të premten në mëngjes në fshatin Marmull të komunës së Gjakovës.

Vrasjen e kanë konfirmuar edhe në policinë e Kosovës, stacioni në Gjakovë, por përveç konfirmimit nuk kanë dhënë ndonjë detal tjetër mbi vrasjen, motivin apo të dyshuarit eventual.

“Qysh në mëngjes kemi marrë informacionin për të shtëna me armë zjarri me q’rast menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi konstatuar se bëhet fjalë për dy viktima të gjinisë mashkullore. Për momentin nuk mund të themi asgjë më tepër sepse policia është në fazën më të lartë të hetimeve”, ka thënë për gazetën “Zëri”, komandanti i stacionit policor në Gjakovë Kristë Gjokaj.

E siç merr vesh gazeta, vrasja e dy anëtarëve të familjes Hili ka ndodhur rreth orës 08 e 30 minuta, nga një pusi që vrasësit e kishin përgatitur për viktimën.

Sipas një të afërmi të familjes Hili, i cili nuk ka pranuar të identifikohet, viktimat kanë qenë në veturë kur ndaj tyre është shtënë, siç mendohet, nga një makinë tjetër që ose mendohet të ketë qenë në lëvizje ose në pritje të viktimave. Të dy viktimat kanë mbetur të vdekur në vendin e ngjarjes, konkretisht në makinën e tyre.

Ndërkohë, përmes një komunikate të lëshuar në orët e pasdites, policia e ka konfirmuar edhe zyrtarisht këtë vrasje makabër.

“Sipas hetimeve në vendngjarje mësohet se janë dy viktima të këtij rasti të vrasjes, shtetasit shqiptar të Kosovës Hil. H. vjeç 45 nga fshati Marmull – Gjakovë dhe P.H. (12.12.1999) po nga ky fshat,vdekjen e të cilëve e ka konfirmuar edhe mjeku përgjegjës në vendngjarje.

Në vendngjarje policia ka gjetur dy vetura, njëra e tipit Crysler me targa regjistrimi të jashtme ku kishin qenë viktimat dhe një veturë e braktisur me targa regjistrimi vendor ku dyshohet se kanë qenë kryesit e veprës.Po ashtu është gjetur edhe arma pistoletë .

Njësitet përkatëse policore janë angazhuar për kapjen e kryesit të mundshëm të vrasjes së dyfishtë.Me vendim të Prokurorit të shtetit,trupat e pa jetë të viktimave janë bartur nga njësiti mjeko-ligjor dhe dërguar për obduksion në Qendrën e mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Rasti do të procedohet nga Njësiti i hetimeve rajonale DRP Pejë.”, thuhet mes tjerash në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Zyra për Informim në Drejtorinë Rajonale të policisë në Pejë.

Nga ana tjetër, sipas burimit anonim të gazetës, arsyeja kryesore mendohet se është gjakmarrja. Burimi ka treguar se anëtarët e familjes Hili edhe më herët kanë qenë cak i vrasësve.

“Para 4 vjetësh këtij Palit ia kanë vrarë babain. Para një viti e kanë gjuajtur por nuk kanë mundur ta vrasin xhaxhain tjetër dhe ja sot e vranë edhe atë vet bashkë me një tjetër xhaxha”, ka thënë ky burim.

I njejti ka thënë se banorët e Marmullit janë të shokuar me këto vrasje të shpeshta në fshatin e tyre dhe kërkojnë nga organet e rendit që sa më shpejtë të ndriçohet të gjitha këto raste.

Ndryshe, në vendin e ngjarjes përpos efektivave të nevojshme të policisë së Kosovës, është parë edhe kryeprokurorja e Prokurorisë themelore të Gjakovës Shpresa Bakija, dhe komandanti i drejtorisë rajonale të policisë në Pejë Shaban Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat