Skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, arrestohen 5 të dyshuar të tjerë

Kronikë e zezë

Skandali i vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, arrestohen 5 të dyshuar të tjerë

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 23:27

Pesë persona janë arrestuar dhe një i gjashtë është shpallur në kërkim pasi akuzohen si të përfshirë në skandalin e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë.

Prokuroria e Tiranës konfirmoi zyrtarisht mbrëmjen e sotme se ka nxjerrë urdhër-ndalimi për disa punonjës të bankës, kryesisht të nivelit përgjegjës dhe specialistë, të akuzuar për “shpërdorim detyre”, pasi nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre kanë krijuar mundësi për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në një ambient të Bankës së Shqipërisë.

Në vijim të hetimeve, të cilat kanë filluar me arrestimin e dy punonjësve të Bankës së Shqipërisë, ditën e Enjte, dt. 31.07.2014, Prokuroria e Tiranës ka krijuar bindjen se vjedhja, për të cilën janë arrestuar Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, është kryer lehtësisht edhe për faktin se punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre.

Këto urdhër-ndalime janë nxjerrë pas verifikimit se këta punonjës kanë shkelur aktet ligjore e nënligjore që normojnë veprimtarinë dhe funksionimin e personelit të Bankës dhe atij të Sigurisë, konkretisht udhëzimin Nr.741 datë 29.03.2014, si edhe manualet përkatëse të Departamentit të Emisionit. Shkelja e kryer prej këtyre punonjësve u konstatua edhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë që gjenden në ambientin ku ka ndodhur vjedhja.

Urdhëra e ndalimit janë nxjerrë për shtetasit:

1.Petrit Ramohitaj, me detyre përgjegjës i arkës ne veprim, ne Departamentin e Emisionit ne Banken e Shqiperise,

2.Liljana Tusha, me detyre specialiste e arkes ne veprim, pranë Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë,

3.Lavdim Cani, me detyre specialist i arkës stok (tranzit) pranë Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë,

4.Myzejen Belba, me detyre specialiste e arkës stok (tranzit) pranë Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë,

5.Dhimiter Davidi, me detyre vezhgues-operator, prane departamentit ne sigurimit dhe mbrojtjes ne Bankën e Shqipërisë.

Pak ditë më parë janë arrestuar edhe 2 punonjës të tjerë të Bankës së Shqipërisë Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia.

Ndërsa në një deklaratë të BSH më datë 29 korrik u tha se pas inventarit të bërë nga grupet e punës rezultonin se mungonin 713 milionë lekë ose mbi 7 milionë dollarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat