Grabitet me armë zjarri kazinoja, kapet një nga autorët

Kronikë e zezë

Grabitet me armë zjarri kazinoja, kapet një nga autorët

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 00:41

Një kazino në zonën e Skelës në Vlorë është grabitur me armë zjarri mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:30. Ngjarja ndodhi në pikun e xhiros së qytetarëve, ku zona ishte tejet e populluar me kalimtarë.

Dy persona kanë hyrë në ambientet e brendshme të kazinosë dhe nën kërcënimin e armës kanë kryer grabitjen. Mirëpo ata janë ndeshur me rojen private të kazinosë kur po nxitonin të dilnin në ambientet e jashtme të kazinosë.

Gjatë këtij konflikti ka pasur të shtëna nga ana e grabitësve, por si pasojë e përplasjes me rojen private, njëri prej tyre mbeti i plagosur.

Janë ende të paqarta rrethanat nëse ishte grabitje apo tentativë pasi policia është e rezervuar, ndërsa personi i dytë është identifikuar nga kamerat e kazinosë dhe të lokaleve përreth.

Dëshmitarët tregojnë se nëse arma kallashnikov do të qëllonte dëmet në njerëz mund të ishin fatale. Forcat e policisë kanë shoqëruar nën cilësinë e dëshmitarit disa kalimtarë dhe persona që mund të kenë dijeni mbi këtë grabitje kazinoje, por që doli me sukses falë ndërhyrjes së policit të kufirit i ndodhur rastësisht në zonë.

Më pas ndërhynë edhe policë civilë pasi kjo zonë është tejet e monitoruar nga policë me dhe pa uniforme.

Policia e Vlorës ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke bërë të mundur ndalimin e grabitësit dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, tip "automatik", që u përdor nga grabitësit.

Ndërkaq, blutë po vijojnë punën për hetimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personit tjetër që mori pjesë në grabitje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat