Një tjetër ekzekutim nuk shkon siç duhet në SHBA

Kronikë e zezë

Një tjetër ekzekutim nuk shkon siç duhet në SHBA

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 15:23

Zyrtarët e shtetit të Arizonës në SHBA thanë se një vrasës, i dënuar me vdekje, vdiq thuajse dy orë pasi nisi ekzekutimi i tij.

Ky është një tjetër rast i një ekzekutimi që nuk shkon siç duhet në SHBA.

Avokatët e Joseph Rudolph Wood ngritën menjëherë një apel emergjence në një gjykatë federale, gjatë kohës që po bëhej ekzekutimi, duke kërkuar ndalimin e tij.

Në apel thuhej se Wood po gulçonte dhe po rënkonte për më shumë se një orë.

Prokurori i Përgjithshëm bëri të ditur se Wood u shpall i vdekur një orë e 57 minuta pasi nisi ekzekutimi.

Wood ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Debra Dietz dhe babait të saj, Eugene Dietz, në dyqanin e familjes në vitin 1989.

Wood kishte një marrëdhënie me Debra-n, por ajo po tentonte që t’i jepte fund, pasi ai e sulmonte vazhdimisht.

Ditën e vrasjes, Wood priti jashtë dyqanit derisa Eugene mbaroi një telefonatë.

Ai nxori pistoletën dhe e qëlloi në gjoks dhe më pas nisi të buzëqeshte.

Debra tentoi të bënte një telefonatë, por ai e kapi për qafe dhe i vendosi pistoletën në gjoks.

Një punonjës tha se e dëgjonte vajzën duke kërkuar mëshirë.

“Të thashtë që do ta bëja,” tha ai dhe e qëlloi atë dy herë në gjoks.

Në dhomën e vdekjes, ai u buzëqeshi sërish familjes së viktimave, ndërkohë që mjekët i bënë injeksionin vdekjeprurës.

Pasi u deklarua se ai ishte nisur drejt vdekjes, për një sekondë në fytyrën e tij u shfaqën shenja paniku.

Ai nisi të gulçonte fort, ndërsa një administrator fiku mikrofonin që të mos dëgjohej gjë.

SHBA kanë probleme kohët e fundit me injeksionet vdekjeprurëse, për shkak të një përpjekje të BE për të mos lejuar importin e tyre drejt SHBA.

Kjo ka bërë që disa injeksione alternative të mos japin rezultatin e dëshiruar.

Disa politikanë kanë bërë thirrje për rikthimin e skuadrave të pushkatimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat