Lidhja e xhaxhait vrasës me mbesën, kundërshtonte çdo fejesë

Kronikë e zezë

Lidhja e xhaxhait vrasës me mbesën, kundërshtonte çdo fejesë

Më: 24 korrik 2014 Në ora: 10:04

Bashkëfshatarë të familjes Vrapi e të njohur të tyre, banorë të fshatit Suk të Roskovecit, pas masakrës së pesëfishtë u janë rikthyer episodeve të kaluara. Vetë ata mundohen të japin ndonjë përgjigje mbi shkaqet që e shtynë të moshuarin Bajram Vrapi të ekzekutonte familjarët e tij, mes tyre edhe mbesën 17-vjeçare që priste të ndërronte nishanet e fejesës ditën e martë. Banorët thonë se dhe një vit më parë xhaxhai i madh kishte kundërshtuar që Merushja të fejohej, pas një rasti që kishte pasur. Ata nuk e dinë nëse vajza ishte takuar më parë me pretendentin, por dinë motivin me të cilin 76-vjeçari e kishte refuzuar. “Bajrami thoshte se mbesa ishte e vogël për ta fejuar. Ai akuzonte prindërit se po e torturonin dhe do ishte shumë keq për vajzën nëse do të lidhej në atë moshë”, tregon një fqinj i vëllezërve Vrapi. Nisur nga ngjarja e rëndë, ai nuk pranon të rrëfehet me emrin e plotë, për shkak dhe të pasojave që mund të ketë me pjesën tjetër të familjarëve të viktimave. Por, nga ana tjetër rrëfen se shpeshherë ka dëgjuar Bajramin që të thoshte se ai ishte i gatshëm të vriste për Merushen. “Thoshte se për të edhe do të vriste. Se ajo ishte vajzë shumë e mirë dhe punëtore, mbesa e tij e preferuar, shkruan Panorama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat