Vrasja që tronditi Gjilanin, tre të akuzuar për krimin e dyfishtë

Kronikë e zezë

Vrasja që tronditi Gjilanin, tre të akuzuar për krimin e dyfishtë

Më: 23 korrik 2014 Në ora: 10:01

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër tre të dyshuarve: Fehmi Maliqi, Ruzhdi Maliqi dhe Besnik Borovci. Të tre të akuzuarit janë përgjegjës për vrasjen e Fitim e Asllan Lipovicës (foto), më 14 nëntor 2013.

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda pas shumë hetimeve të zhvilluara dhe gërshetimit të shumë provave e fakteve, ka ngritur aktakuzën kundër tre të dyshuarve : Fehmi Maliqi, Ruzhdi Maliqi dhe Besnik Borovci.

Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Shaban Spahiu thuhet se më 14 nëntor 2013, të pandehurit, pa një marrëveshje paraprake me vete pajisen me armë të zjarrta-revole si dhe thika e sëpata, e në bashkëveprim edhe me Bekim Shodrën nga Kamenica, shkojnë në afërsi të shtëpisë së tani të ndjerit Fitim Lipovica.

Ky veprim shtohet se ishte bërë me qëllim të privimit nga jeta për shkak të një konflikti lidhur me shfrytëzimin e rrugës që shpie në drejtim të objektit banesor në ndërtim, të të ndjerit Fitim Lipovica.

Në aktakuzë theksohet se të akuzuarit Ruzhdi Maliqi e Besnik Borovci fillimisht e sulmojnë me thikë tani të ndjerin Fitim Lipovica duke e goditur në kafazin e kraharorit në anën e majtë si dhe në anën e djathtë të syrit të djathtë, ndërsa po ashtu me thikë e godasin edhe tani të ndjerin Asllan Lipovica dhe atë në anën e djathtë të përparme të kafazit të kraharorit, në anën e majtë të fytyrës, dhe në maje të ballit.

Sipas aktakuzës, Fehmi Maliqi ka shtënë me armë zjarri edhe në drejtim të Ardonis Lipovicas.

I akuzuari Fehmi Maliqi ka shtënë katër herë ndaj të ndjerit Fitim Lipovica duke e qëlluar në anën e djathtë të kokës, në anën e majtë të kafazit të kraharorit, në pjesën e përparme si dhe një goditje tangjentore nga të cilat plagë i njëjti ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Fehmi Maliqi ka vazhduar skenën duke shtënë me armë edhe ndaj të ndjerit Asllan Lipovica ku predhat e revoles depërtojnë në zemër dhe në mushkëri.

Ruzhdi Maliqi i akuzuari tjetër me armë zjarri ka shtënë në drejtim të dëmtuarit Fidan Lipovica duke i dëmtuar boshtin kurrizor. Të gjithë të dyshuarit akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.

Ky gjykim pritet të fillojë së shpejti derisa janë paraparë dhjetëra dëshmitarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat