Vrasja e 5-fishtë në familje, 73-vjeçari vret familjarët se ishte kundër fejesës së mbesës (Video)

Kronikë e zezë

Vrasja e 5-fishtë në familje, 73-vjeçari vret familjarët se ishte kundër fejesës së mbesës (Video)

Më: 22 korrik 2014 Në ora: 09:39

Krimi brenda familjes godet sërish. Mëngjesin e sotëm rreth orës 08:00, fshati Suk i Fierit është tronditur nga një vrasje e pesëfishtë brenda një familjeje.

Autori i vrasjes, 73-vjeçari Bajram Vrapi, ka qëlluar me armë gjahu ndaj dy vëllezërve të tij Xhemal Vrapi 79 vjeç, Besim Vrapi 60 vjeç, gjithashtu dhe ndaj kunatës 43-vjeçare Drita Vrapi, dhe mbesës minorene 17-vjeçare Merushe Vrapi.

Mësohet se 73-vjeçari, vrasjen ndaj kunatës dhe mbesës e ka kryer brenda banesës, në divanin e shtëpisë, ndërsa atë ndaj dy vëllezërve e ka kryer jashtë banesës.

Sipas hetimeve paraprake të policisë, secili nga viktimat është vrarë me nga një të shtënë.

Pas ngjarjes makabre, një prej fshatarëve të zonës e ka ndjekur dhe është munduar të negociojë me të duke i thënë që të dorëzohej pavarësisht asaj që kishte ndodhur, por ai nuk ka pranuar.

Ka qenë edhe një oficer policie, i cili është munduar gjithashtu që të negociojë me të duke iu afruar pa armë. Por, autori i krimit, me një fije hekuri ka shkrepur armën e gjahut, të cilën e kishte mbështetur në tokë.

Dëshmia e Toskës, banorit të fshatit: I kërkova të dorëzohej, por ai refuzoi me ngulm. Nuk munda të bëja asgjë

Samit Toska, një banor i fshatit ku ndodhi krimi, ka treguar se e ka takuar Bajramin menjëherë pasi kishte vrarë 4 pjesëtarët e familjes.

“30 minuta pas krimit makabër e takova 73-vjeçarin. Më rrëfeu se kishte vrarë dy vëllezërit, kunatën dhe mbesën 17-vjeçare. Ishte me armën e krimit në dorë. I kërkova të dorëzohej në polici pas këtij krimi që kishte kryer, por ai refuzoi me ngulm.

Nuk munda të bëja asgjë, ai me armë në dorë u drejtua te një arë më misër, aty më pas dëgjova të shtëna, ai kishte vrarë veten. Njoftova menjëherë dhe djalin e tij për këtë krim makabër, që tronditi gjithë fshatin”, ka treguar Toska për A1 REPORT.

Arsyeja e vrasjes makabre

Deri më tani dyshohet se shkak për këtë ngjarje është bërë fejesa e mbesës së tij 17-vjeçare, që do të bëhej gjatë ditës së sotme, dhe 73-vjeçari, xhaxhai i viktimës nuk ka qenë dakord.

Ndërkohë po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj vrasjeje të rëndë.

Vijon...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat