Sërish tragjedi në Itali, 19 emigrantë vdesin nga asfiksia

Kronikë e zezë

Sërish tragjedi në Itali, 19 emigrantë vdesin nga asfiksia

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 14:09

19 emigrantë kanë vdekur nga asfiksimi teksa ndodheshin në një varkë të tejmbushur që po udhëtonte nga Afrika e Veriut drejt Italisë.

Agjencia e lajmeve ANSA, bën me dije se emigrantët mendohet të kenë gëlltitur tymin e lëshuar nga motori i vjetër i mjetit lundrues, edhe gjithashtu nga fakti se ndodheshin nën kuvertë.

18 persona të pajetë u gjetën nga skuadrat e shpëtimit në mesin e njerëzve, ndërsa një person tjetër humbi jetën teksa po evakuohej. Varka po transportonte rreth 600 persona.

Së fundmi ka pasur një rritje masive të numrit të emigrantëve që tentojnë të kalojnë Mesdheun për në Itali, edhe për shkak të luftërave në vendet afrikane.

Në incidentin e fundit varka ishte drejtuar për në ishullin italian të Lampeduzës dhe u lokalizua pasi lëshoi sinjalin SOS. Dy pasagjerë u morën dhe u dërguan për mjekim në një spital të Siçilisë për shkak të gjendjes së rëndë.

Shumë prej klandestinëve ndërmarrin rrugën e rrezikshme detare me mjete lundruese të degraduara për të arritur Italinë, e më pas vendet e tjera të Perëndimit.

Në muajt e fundit të paktën 45 emigrantë kanë humbur jetën në rrethana të ngjashme, pasi janë shtypur nga njerëzit si pasojë e mbipopullimit të varkës, ose janë asfiksuar.

Që nga fillimi i vitit e deri më tani, rreth 60 mijë emigrantë kanë zbarkuar në jug të Italisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat