Sekuestrohen 5 mijë dollarë falsë, vinin nga Zvicra

Kronikë e zezë

Sekuestrohen 5 mijë dollarë falsë, vinin nga Zvicra

Më: 20 korrik 2014 Në ora: 12:45

Policia e Tiranës arrestoi dje tre persona, të cilët dyshohet se kanë hedhur në treg valutë të falsifikuar. Deri tani janë sekuestruar 5 mijë dollarë që dyshohen të jenë falsë, pasi u mungonin dy elementë sigurie. Ndërsa të arrestuarit janë dy përdorues droge, I. Nasufi e H. Taka, të cilët i këmbenin dollarët me prerje 100-she në agjencitë e këmbimit valutor, si dhe 21-vjeçari Erjon Piraçi, i cili dyshohet se i kishte sjellë paratë nga Zvicra. Operacioni i koduar “Distinktivi” u krye dje nga efektivët e Antikrimit Ekonomik të Policisë së Tiranës, duke bërë të mundur arrestimin e tre të dyshuarve dhe bllokimin e valutës së falsifikuar. Denoncimi ishte bërë dy ditë më parë në polici nga një exchange në Rrugën e Kavajës në kryeqytet, ndërsa dje është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i njërit prej të dyshuarve si përdorues droge kur po tentonte të këmbente me valutë të rregullt dy kartëmonedha 100 dollarëshe. Pas arrestimit të tij është bërë i mundur edhe identifikimi i dy të tjerëve, të cilët janë vënë në pranga pak minuta më vonë. Burimet thanë se shtetasi Erjon Piraçi, i cili kishte sjellë dollarët e falsifikuar nga Zvicra, ku kishte qëndruar gjatë 3 muajve të fundit, u jepte dy personave të tjerë nga një dozë lëndë narkotike dhe ata në këmbim i shkëmbenin dollarët fals me valutë të rregullt. Ende nuk dihet sa është vlera totale e parave që Piraçi ka sjellë në Shqipëri, por deri tani janë sekuestruar vetëm 5 mijë dollarë. Ndërsa nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6 është arrestuar një tjetër person i dyshuar për falsifikim monedhash. I arrestuari është 29-vjeçari Ergys Joca. Burimet thanë se Joça ishte shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi Prokuroria kishte lëshuar një urdhër-arresti në ngarkim të tij me akuzën e falsifikimit të monedhave. Ende nuk është provuar nëse 29-vjeçari ka bashkëpunuar apo ka lidhje me tre personat e tjerë që u arrestuan nga Antikrimi Ekonomik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat