Asgjësohen 207 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në Lezhë

Kronikë e zezë

Asgjësohen 207 rrënjë bimë narkotike kanabis sativa në Lezhë

Më: 18 korrik 2014 Në ora: 22:43

Një parcelë me drogë është zbuluar nga Policia e Lezhës në fshatin Zimaj të Komunës Ungrej të këtij rrethi. Burime të uniformave blu kanë bërë të ditur se, janë zbuluar dhe asgjësuar 207 rrënjë bimë narkotike e llojit kanabis sativa.
Vendi ku u zbulua droga është një zonë e thellë malore, ndërsa vendi ku ishte mbjellë ajo ishte një tokë pa pronar. Policia bëri të ditur se droga kishte vetëm pak kohë që ishte mbjellë, ndërsa mbi të ishte vendosur edhe sistemi vaditës që shërbente për ujitjen e saj.

Në polici është shoqëruar një person, i cili mund të ketë dijeni për posedimin e drogës, por emri i tij nuk është bërë ende i ditur për arsye hetimi. Zbulimi i parcelës me drogë erdhi pas informacioneve që kishte marrë policia në rrugë operative, ndërsa paraditen e ditës së premte është zhvilluar operacioni për asgjësimin e saj.

Droga e kapur është asgjësuar dhe më pas djegur nga policia e Lezhës, ndërsa për rastin në fjalë kanë nisur edhe hetimet ku pritet që të merret në pyetje edhe personi i ndaluar për të zbuluar edhe poseduesit e mbjelljes së drogës.

Zonat e thella malore në të cilat kultivohet lënda narkotike është kthyer në një problem shqetësues për policinë pasi në shumicën e rasteve tokat rezultojnë pa pronar. Burime nga Policia e Lezhës kanë bërë të ditur se do të vijojnë kontrollet në të gjithë territorin e këtij qarku për të parandaluar kultivimin e drogës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat