Mbahet peng për 8 muaj në Kavajë, policia liron sllovenen

Kronikë e zezë

Mbahet peng për 8 muaj në Kavajë, policia liron sllovenen

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 20:45

Një 29-vjeçare sllovene dyshohet se është rrëmbyer dhe është mbajtur peng për 8 muaj në Shqipëri, në një kompleks në Kavajë. Vetë shtetasja sllovene ka bërë denoncimin nëpërmjet një mesazhi, i cili vuri në lëvizje INTERPOLIN, ndërkohë që policia shqiptare menjëherë pas lokalizimit të vendit bëri të mundur lirimin e sllovenes.

Mojca Vlado Jakop dyshohet se është mbajtur peng për 8 muaj në një kompleks në Kavajë, në zonën e Qerretit. Jakop dyshohet se u mor peng nga bashkëkombësi Peter Petrovic Matliev. Policia e Kavajës arriti të lirojë 29-vjeçaren, e cila u gjet në gjendje të mirë shëndetësore. Menjëherë në vendngjarje u nis edhe zëvendës ambasadorja sllovene e akredituar në Tiranë.

Ajo që duket e çuditshme është se banorët që ishin dëshmitarë dhe i kishin parë të dy shtetasit sllovenë, thanë se nuk kishte shenja për rrëmbim. Sipas dëshmitarëve, të dy shtetasit, hynin dhe dilnin lirisht nga banesa. Ngjarja është mbajtur e fshehtë për vetë faktin se nga hetimet ka mospërputhje në disa momente të dëshmisë së 29-vjeçares.

Shtetasi 46-vjeçar që kreu pengmarrjen është shpallur në kërkim për "Heqje të paligjshme të lirisë", ndërkohë që vazhdojnë hetimet për të zbardhur më tej situatën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat