16 pallate në rërë, 6 vetë në pranga. Prokuroria: Lejet i jep KKRTRSH, jo komuna

Kronikë e zezë

16 pallate në rërë, 6 vetë në pranga. Prokuroria: Lejet i jep KKRTRSH, jo komuna

Më: 13 korrik 2014 Në ora: 10:03

Kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi dhe pesë zyrtarë të tjerë të komunës, përfunduan dje në pranga, pasi akuzohen për shpërdorim detyre. Tre anëtarë të tjerë të KRT-së, do të hetohen në gjendje të lirë, pasi gjykata caktoi ndaj tyre vetëm masën e sigurisë "detyrim paraqitje".

"Zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre në dhënien e lejeve të ndërtimit në brezin e rërës në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Nga hetimi ka rezultuar se, në të paktën 16 raste, këta zyrtarë kanë dhënë leje për ndërtim objektesh shumëkatëshe në kundërshtim flagrant me ligjin, në këtë zonë, në të nuk lejohet absolutisht ndërtimi, bazuar në vendimet përkatëse të Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë (KKRRTSH)", thuhet në dosjen e prokurorisë.

Hetimi ndaj zyrtarëve sipas prokurorisë, nis që në shkurt të 2014, pas një informacioni të drejtorisë së qarkut, e cila informonte se në një nga ndërtimet në zonën e Shkëmbit të Kavajës, ishte ngritur një kat pa leje. "Gjatë hetimit, prokuroria arriti të zbulojë se jo vetëm kati, por i gjithë pallati ishte ndërtuar në bazë të një lejeje të kundërligjshme. Po ashtu, u zbulua gjatë hetimit paraprak se, edhe të paktën 15 praktika të tjera të lejeve të ndërtimit, janë dhënë nga Komuna Rrashbull në kundërshtim me ligjin", theksohet në dosje.

Zbulimi i skandalit
Hetimet që hodhën dritë mbi skandalin e dhënies së lejeve të ndërtimit në zonën e Shkëmbit të Kavajës, nisën pas një telefonate, që u bë në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Një qytetar denonconte se në Lagjen Nr.13 në Plazh, Durrës, pikërisht në vendin e quajtur pranë Shkëmbit të Kavajës, në një objekt 10 kate, po ndërtohej një kat shtesë.

Në terren është vërejtur se objekti ishte dhjetë katësh dhe po tentohej të ndërtohej një kat shtesë, pasi në të gjithë hapësirën sipër, ishte ngritur armaturë me skela dhe dërrasa. Gjithashtu mbi katin e 10 të ndërtesës është gjendur dhe një vinç i cili përdorej për ngritjen e materialeve të ndërtimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat