E ndiqte hap pas hapi kudo që shkonte, 28-vjeçarja kërkon ndihmën e policisë

Kronikë e zezë

E ndiqte hap pas hapi kudo që shkonte, 28-vjeçarja kërkon ndihmën e policisë

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 09:19

Një grua e martuar, e lumtur në jetën e saj, e dashuruar me bashkëshortin, ka përjetuar çaste tmerri, pasi një 46-vjeçar e ndiqte hap pas hapi dhe i kërkonte me çdo kusht të bëhej e dashura e tij. Kadri D. është vënë nën akuzën e përndjekjes dhe dosja penale ndaj tij i është dorëzuar Gjykatës së Tiranës për shqyrtim. Sipas prokurorisë, 46-vjeçari e kërcënonte në mënyrë të vazhdueshme, vajzën 18 vite më të re, madje dhe në praninë e familjarëve të burrit të saj, çka ka bërë që mes tyre të lindte konflikt. E ndodhur në këto rrethana, 28-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e policisë, e cila ka bërë të mundur arrestimin e Kadri D. I pandehuri nuk pranon ta ketë përndjekur vajzën, por shprehet se e njihte dhe për këtë shkak e përshëndeste.

Dosja e plotë
Sipas prokurorisë, N.L banon në Tiranë dhe një vit më parë është lidhur në martesë me F.L dhe vazhdon jetën normalisht me bashkëshortin e saj. Por prej dhjetorit të 2013-ës, vajza u ka rrëfyer hetuesve se përndiqet nga Kadri D. 46-vjeçari i dërgon mesazhe në telefon, kërkon ta takojë me të gjitha format, e ndjek nga mbrapa dhe i afrohet asaj në çdo vend ku e reja rri. Në dëshminë e saj, dhënë para hetuesve më 20 qershor 2014, e dëmtuara ka shpjeguar se Kadri D. i dërgon asaj sms dhe e ndjek përsëri atë nga prapa. Këto veprime sipas vajzës vazhdonin prej kohësh dhe po bëheshin gjithmonë e më të shpeshta, për këtë shkak, N. u ka treguar dhe pjesëtarëve të familjes së saj gjithçka po ndodhte. Ajo i ka thënë bashkëshortit se Kadri D. e kërcënonte në mënyrë të vazhdueshme, ndaj për këtë shkak mes bashkëshortit të N. dhe të pandehurit ka nisur konflikti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat