Vrau vëllezërit për 200 mijë €, kërkohet burg përjetë për të arratisurin

Kronikë e zezë

Vrau vëllezërit për 200 mijë €, kërkohet burg përjetë për të arratisurin

Më: 12 korrik 2014 Në ora: 09:10

Masakra e 1 dhjetorit të dy viteve më parë në Tiranë, ku dy vëllezër ekzekutohen brenda në makinën e tyre nga shoku i tyre dhe në mes të Tiranës, njeh edhe konkluzionin përfundimtar të prokurorisë për të. Autori, që për akuzën është Eduart Kurti, duhet të shpallet fajtor dhe ndaj tij të jepet dënimi i përjetshëm. Ngjarja horror që ndodh në bulevardin “Bajram Curri”, ku Kurti qëlloi me plumb në kokë Nikola dhe Inglent Haxhialiun, 41 dhe 44 vjeç u tha se kishte si shkak borxhet që vëllezërit i kishin Kurtit, mirëpo ky i fundit, vijon të jetë i lirë sot e asaj dite.

Prokuroria ka mundur të zbardhë të gjithë historinë e konflikteve mes shokëve, bazuar na dëshmitë e dhëna nga familjarët e dy palëve dhe të miqve të përbashkët të tyre, ndërsa ka sekuestruar edhe një sërë dokumentesh ku familja Kurti kishin kryer marrje kredie në bankë, në të njëjtën bankë, brenda një viti, shumën prej 150 mijë eurosh. Nga të dhënat e prokurorisë fiksohet fakti se vëllezërit Haxhialiu i kishin marrë hua dy herë Kurtit, një herë 60 mijë euro dhe një herë tjetër 150 mijë dollarë dhe 6 mijë euro. Në të dy rastet, kontrata mes shokëve ka qenë e tillë që lekët të kthehen brenda vitit. Meqë dy vëllezërit nuk kanë mundur t`i kthejnë, atëherë Kurti, sipas prokurorisë, iu ka kërkuar hotelin në Dhërmi. Për borxhet mes palëve, kanë qenë në dijeni familjarët si dhe persona të tjerë, ndërsa rrethanat në të cilat ka ndodhur vrasja e dyfishtë, nuk është zbardhur ende sot e asaj dite.

Rrëfimi i nënës së viktimave

Në seancën gjyqësore të datës 16.04.2014, dëshmoi dhe shtetasja Hateme Haxhialiu, e ëma e Nikola dhe Iglend Haxhialiut. Gjatë dëshmisë së saj, ndër të tjera dëshmoi se, ishte në dijeni se djali i saj, Nikola i kishte marrë në formë huaje Eduart Kurtit një shumë të hollash. Sipas dëshmisë së Hateme Haxhialiut; një herë, duke u ndodhur e shoqëruar nga dy djemtë e saj, Iglendi dhe Nikola, ka qenë e pranishme në një takim ndërmjet dy djemve të saj dhe të pandehurit Eduart Kurti. Gjatë takimit, biseda është zhvilluar rreth vlerës monetare të marrë hua nga dy djemtë tek Eduarti. Në një takim tjetër, përveç këtyre personave, ka qenë pranishëm dhe i ati i Eduartit, Xhavit Kurti.

Gjatë këtij takimi, shtetasi Xhavit iu ka kërkuar djemve që si këmbim të borxhit, ata t’i jepnin hotelin që dispononin në Dhërmi. Gjithnjë sipas dëshmisë së nënës së viktimave, nga biseda ku ajo ka qenë e pranishme, i pandehuri Eduart Kurti u ka thënë Nikolës dhe Iglendit se: “lekët e marra borxh i kishte prishur në kumar dhe këtë gjë nuk mund t’ia thoshte të atit të tij.” Dëshmitarja Hateme Haxhialiu dëshmoi gjithashtu, se në periudhën e fundit, marrëdhëniet ndërmjet dy djemve të saj dhe Eduart Kurtit, ishin acaruar. Ndërsa, për sa i përket datës 01.12.2012, shtetasja Hateme Haxhialiu ndër të tjera dëshmoi se: “e ndodhur në shtëpi së bashku me pjesëtarët e tjerë të familjes, im bir Nikola i ka thënë se së bashku me Iglendin do të shkonte të takonte Eduart Kurtin.”

Si u ‘gënjye’ policia natën e vrasjes dhe ikja e autorit

Në konkluzionin përfundimtar për vrasjen e kryer nga Eduart Kurti, prokuroria ka hedhur dritë mbi një nga faktet më të rënda të ndodhura në ndonjë ngjarje. Policia adresohet gabim për emrin e autorit dhe krerët e policisë nisen në drejtim të Mamurrasit duke ia faturuar krimin e dyfishtë A. N. I riu arrestohet në banesën e tij dhe sillet në Tiranë në masa të rrepta policie. Për më shumë se 24 orë, emri i tij u publikua se autor i kësaj masakre, por më pas u kuptua se policia kishte marrë sinjalin e gabuar.

Prokuroria hedh dritë mbi këtë moment: Në vendin e ngjarjes kanë shkuar dy punonjës policie Genci J. dhe Dorian S. Në dëshmitë e tyre dy efektivët kanë saktësuar se në çastin që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, aty ka ardhur ambulanca dhe është marrë personi që ishte ende gjallë për ta çuar në spital. Gjatë rrugës, ata e kanë pyetur për emrin e personit që i ka qëlluar dhe i plagosuri iu ka thënë se: Na vrau A.N. Prokuroria thekson se mjeku i ambulancës nuk ka mundur të shqipërojë asnjë fjalë të të plagosurit, i cili ndërroi jetë pak orë pas plagosjes. Koha prej më shumë se 12 orësh, i ka mjaftuar Edurat Kurtit të largohet në drejtim të paditur, sot e asaj dite./Shekulli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat