Gjakmarrja, Llalla hetim ndaj personave që ngujojnë familje

Kronikë e zezë

Gjakmarrja, Llalla hetim ndaj personave që ngujojnë familje

Më: 24 prill 2014 Në ora: 08:27

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla theksoi dje përpara deputetëve se Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin për shumë individ të cilët kanë kryer veprën penale “kanosje të jetës” të cilat përqendroheshin në rastet e gjakmarrjes dhe ngujimit. Sipas Llallës, kjo politikë e prokurorisë ka ndryshuar në mënyrë që të shmanget fenomeni i gjakmarrjes.

“Për veprën penale “Vrasje për gjakmarrje” janë regjistruar vetëm 2 procedime penale gjatë vitit 2013. Ndërkohë që nga ana e prokurorisë i është kushtuar vëmendje e veçantë veprës penale “kanosjes për gjakmarrje”, e cila lidhet me fenomenin e ngujimit. Nga prokuroritë e rretheve gjyqësore në veri të Shqipërisë, ku është edhe më i përhapur ky fenomen, është hartuar një plan konkret për evidentimin dhe më pas regjistrimin e procedimeve penale për veprën penale të “kanosjes për gjakmarrje”.

Në kuadër të hetimit për veprën e “kanosjes për gjakmarrje”, prokuroria ka vendosur para përgjegjësisë ligjore edhe të zgjedhur vendorë, të cilët shpërndajnë në mënyrë abuzive dokumente fallso për persona si të përfshirë në gjakmarrje. Këto dokumente përdoren më pas nga shtetas shqiptarë për të kërkuar azil në vende të Bashkimit Europian. Ky shqetësim i është bërë prezent Prokurorisë së Përgjithshme edhe nga strukturat homologe”,- tha kryeprokurori.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat