Gjyshi i Bleona Matës: Kam informacione se është në Turqi, po e kërkoj vetë

Kronikë e zezë

Gjyshi i Bleona Matës: Kam informacione se është në Turqi, po e kërkoj vetë

Më: 23 prill 2014 Në ora: 12:27

Gjyshi i vogëlushes së zhdukur 4 vjet më parë në Zapod të Kukësit vijon kërkimet për mbesën e tij deri në Stamboll të Turqisë.
Në një komunikim telefonik në “News24”, Zenel Mata shprehet se po ndjek privatisht gjurmët e mbesës Bleona Mata, pasi ka dyshime se vogëlushja është parë në Turqi.

“Para një muaji kemi marrë vesh rastësisht se është parë diku në Turqi dhe kam dërguar njerëzit atje. Por deri tani nuk kemi asgjë. Po vazhdojmë kërkimet edhe në Greqi. Jemi hapur në të gjitha krahët me njerëzit tanë atje, jo me shtetin. Dyshimet e mia ja kam thënë prokurorisë, por ende asnjë rezultat”- deklaroi Zenel Mata.

Lidhur me mbylljen e hetimit për të dyshuarin Begzim Isa, gjyshi i Bleonës thotë se nuk surprizohet aspak nga rënia e dyshimeve për të.

Begzim Isa u arrestua vitin e kaluar me akuzën e rrëmbimit të të miturve me qëllim trafikimin e tyre në Kosovë. Arrestimi i tij riktheu në vëmendje rastin e Bleona Matës, pas hedhjes së dyshimeve të familjarëve të vogëlushes se 19-vjeçari mund të kishte gisht në zhdukjen e saj. Kjo, pasi ai është daja i Qamiles, njërës prej vajzave që kanë shoqëruar pasditen e 22 majit 2010 Bleonën në mal, ditë në të cilën edhe u zhduk.

Por, sipas Krimeve të Rënda, Begzim Isa nuk përfshihet në akuzë apo materiale që mund ta lidhin me rrëmbimin e Bleona Matës. Më 28 mars, Prokuroria ka çuar për gjykim çështjen ndaj Isës, me akuzat për "Trafikim të të miturve", mbetur në tentativë, dhe "Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive", akuza këto që kanë të bëjnë vetëm me rrëmbimin e kushëririt të tij 8-vjeçar dhe jo me rastin e Bleona Matës.

Por me këtë vendim nuk pajtohet nëna e Bleonës. Bukurie Veizi vijon të këmbëngulë se Qamile Mata dhe Begzim Isa janë personat që kanë zhdukur vajzën. Sipas saj, prokuroria ka në dorë dëshmi që flasin për përfshirjen e Isës në rrëmbimin e Bleonës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat