Furgoni i fabrikës së çimentos shpërthen me 30 gr eksploziv C4

Kronikë e zezë

Furgoni i fabrikës së çimentos shpërthen me 30 gr eksploziv C4

Më: 23 prill 2014 Në ora: 09:14

Një sasi eksplozivi e vendosur në furgonin që dërgonte punëtorët në fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke shkaktuar vetëm dëmtimin e mjetit dhe panik ndër banorë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 2:00 të ditës së djeshme, në qendër të qytetit të Fushë-Krujës, vetëm 50 metra larg komisariatit të policisë së këtij qyteti, kur furgoni tip “Benz”, me targa AA 900T, taksi 8+1, i licensuar, në pronësi të shtetasit Bujar Zalla, është hedhur në erë me anë të një sasie të vogël lënde plasëse e llojit C4, (rreth 30 gramë) e cila ishte vendosur në pjesën e motorit.

Eksplozivi shpërtheu me anë të telekomandimit me telefon celular dhe atentatorët kanë shfrytëzuar pikërisht momentin e qetësisë së thellë të natës, pak orë para se Zalla t’i dërgonte punëtorët në punë, për të kryer edhe këtë atentat që në dukje ngjan si paralajmërues. Mjeti i transportit të pasagjerëve ishte parkuar poshtë shtëpisë së Bujar Zallës, ndërsa vetë ai ka deklaruar për policinë se nuk ka konflikte me askënd. Nga ana e saj, policia po verifikon disa informacione në lidhje me personat që e kanë vendosur këtë lëndë plasëse, por ende nuk ka asnjë person të dyshuar.

Tri pistat e hetimit
Një ndër pistat më kryesore mbi të cilat po heton Policia e Fushë-Krujës është ajo e konfliktit të hershëm të fshatit Zallë me pronarët e fabrikës së çimentos, për shkak të pronësisë së këtij objekti. Pak javë më parë policia arrestoi Ylli Zallën, personin që pati përplasje me Artur Gabën, administatorin e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë dhe drejtorin Carl Xhorxh, ku thuajse përditë ato zona u tronditën nga shpërthimet e tritolit, deri kur ngjarjet u acaruan së tepërmi.

Para 2 vitesh, një shpërthim tritoli i telekomanduar tronditi banorët e rrugës “Budi” në Tiranë, ku ndërroi jetë Anuar Rizik, ekonomisti i fabrikës. Pra, policia po heton për paralajmërim ndaj Bujar Zallës, në lidhje me dërgimin e punëtorëve në këtë fabrikë, ndërsa nuk përjashtohet edhe pista e konkurrencës, për shkak se ai bënte edhe linja të tjera, apo e ndonjë konflikti personal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat