Gruaja e gjyqtarit: E futën në grackë, nuk mori ryshfet, në burg rrezikon jetën

Kronikë e zezë

Gruaja e gjyqtarit: E futën në grackë, nuk mori ryshfet, në burg rrezikon jetën

Më: 23 prill 2014 Në ora: 09:00

Bashkëshorti im ra në 'grackë', pasi nuk është e vërtetë se ka marrë ryshfet. Shteti po përpiqet të luftojë korrupsionin duke bërë shembull dhe 'kryqëzuar' një njeri të nderuar në Pogradec". Kështu deklaroi dje bashkëshortja e gjyqtarit Dhimitër Pojanaku, i cili u arrestua pak ditë më parë nën akuzën e korrupsionit. E tronditur, Adelina Pojanaku (drejtoreshë e një shkolle 9-vjeçare në Pogradec) pohoi se e ka takuar të shoqin në dhomat e paraburgimit dhe se është tejet e shqetësuar jo vetëm për vendimin e dhënë nga gjykata, por edhe rrezikun që i kanoset atij. Në një intervistë për "Gazeta Shqiptare", 54-vjeçarja tha se Pojanaku aktualisht po "bashkëjeton" me persona që ai i ka dënuar. Ajo u bën apel organeve të drejtësisë që ta largojnë bashkëshortin e saj nga dhomat e paraburgimit në Burgun e Sigurisë së Lartë të Drenovës dhe të hetohet në gjendje të lirë.
Si ndiheni pas akuzave dhe arrestimit të bashkëshortit tuaj?
Normalisht jemi duke e përjetuar shumë atë që ka ndodhur në familjen tonë. Prej disa ditësh është bërë shumë zhurmë në media për kapjen në flagrancë për korrupsion të gjyqtarit Dhimitër Pojanaku. Në çdo televizion dhe në çdo gazetë u botua me hollësi gjithçka për shifrën e përfituar, por jo shumë qartë për rrethanat. Megjithatë, kjo është e kuptueshme, pasi janë rrethanat ato që po hetohen për të kuptuar në kemi të bëjmë apo jo me korrupsion. Gjykata vendosi masën e sigurisë "Arrest me burg" ndaj tim shoqi dhe ky vendim na ka lënduar.
Çfarë do të thotë për ju kjo masë sigurie?
Kjo ishte edhe më e rëndë. Bashkëshorti im u dërgua në paraburgimin e burgut të Drenovës, një burg i sigurisë së lartë, në të cilin "strehohen" edhe shumë persona, të cilët janë dënuar nga Dhimitri. Tashmë gjyqtarit-poet i duhet të "banojë" në burgun e Drenovës. Atij i duhet të pranojë presionin e qëndrimit në burg mes shumë të burgosurve të rrezikshëm. Për më tepër i duhet të qëndrojë në qeli, në kushte të rënduara shëndetësore, pasi është i sëmurë kronik me zemër dhe vuan nga tensioni.
Kujt i trembeni më së shumti?
I trembemi faktit që bashkëshorti im "banon" me personat ndaj të cilëve ka vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" apo i ka dënuar. Ky izolim mund të të kallë frikën, mund të të shkaktojë pasiguri, mund të të bëjë që ta humbasësh gjakftohtësinë, mund të bëjë që të ndihesh i dënuar pa u gjykuar, mund të të shuajë shpresën, mund ta tjetërsojë njeriun. Është e pafalshme që në emër të luftës kundër korrupsionit të kryqëzohet një gjyqtar, i cili ka punuar gjithë jetën e tij me ndershmëri.
Si do e përshkruanit bashkëshortin tuaj?
Ai është njeri i thjeshtë, që shpesh e ndesh rrugës duke shkuar në këmbë në punë apo me autobusët e linjës. Një bashkëshort i shkëlqyer. Dhimitrin, shumëkush nga ne e njeh jo si gjyqtar, por si poetin e gjeneratës së re. Ai ka fituar shumë çmime brenda dhe jashtë vendit, ndërsa pak kohë më parë ju akordua çmimi prestigjioz "Penda e argjendtë". Dhimitri, gjithashtu u nderua nga bashkia me titullin "Qytetar Nderi".
Cili është apeli juaj?
Dhimitri ra në "grackë" nga një sajim. U bëjmë apel organeve të drejtësisë që të lirojë këtë njeri të nderuar nga burgu i Drenovës dhe ta hetojë me një tjetër masë sigurie. Ne jemi të bindur që Dhimitri nuk ka lidhje me ryshfetin. Ai duhet të dalë nga paraburgimi, pasi qëndrimi i tij me persona që ai vetë i ka dënuar përbën rrezik serioz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat