Arrestohet një punonjës policie, SHKB: Ndihmoi trafikantin

Kronikë e zezë

Arrestohet një punonjës policie, SHKB: Ndihmoi trafikantin

Më: 22 prill 2014 Në ora: 11:48

Një punonjës policie është arrestuar nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pasi ka ndihmuar një shtetas i cili po trafikonte jashtë vendit për qëllime prostitucioni një vajzë.

Policia e Shtetit bën të ditur se sot në orën 05:00 të mëngjesit, nga strukturat e sektorit të SHKB-së Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Luftës Kundër Krimit të Organizuar në DPQ Elbasan, është arrestuar në flagrancë punonjësi i policisë, me detyrë Ndihmës Kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës, K/Inspektor Artan Telha, 42 vjeç, lindur në fshatin Iballë të rrethit Pukë dhe banues në Durrës.

Sipas policisë, arrestimi i tij në flagrancë është bërë për kryerjen e elementëve të veprës penale të "korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike", pasi ka ndihmuar shtetasin Klodjan Novaku, të kalojë nga Shqipëria për në Itali, së bashku me shtetasin A.Sh., kundrejt shpërblimit në të holla.

Gjithashtu është bërë arrestimi i shtetasit Klodjan Halit Novaku, 28 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan. Arrestimi i këtij shtetasi u krye për veprën penale të "Trafikut të të rriturve" e mbetur në tentativë" dhe "Armëmbajtjes pa leje", të parashikuara nga nenet 110/a e 278 të Kodit Penal. Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi është sekuestruar një armë pistoletë e tipit Zastava, një shumë të hollash prej 670 Euro, një telefon i markës Nokia, pasaportë dhe kartë identiteti dhe 2 bileta udhëtimi në emër të Klodjan Novaku dhe Adile Shabani, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Policia informon se, fillimi i hetimeve për këtë çështje ka nisur pas kallëzimit të shtetasit R.Sh., i ati i shtetases A.Sh., i cili ka denoncuar në polici se e bija e tij është marrë me anë të mashtrimit me qëllim trafikimin e saj për prostitucion nga shtetasi Klodjan Novaku. Strukturat e sektorit të SHKB-së Elbasan dhe Sektorit për Narkotikët dhe Trafiqet në Drejtorinë e Policisë Qarkut Elbasan, pas kryerjes së të gjitha veprimeve proceduriale, organizuan operacionin "Ndalimi", duke bërë të mundur arrestimin e shtetasit Klodjan Novaku dhe punonjësit të policisë Artan Telha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat