Akuzoi në portal gjyqtaren Mataj, kërkon dëmin financiar

Kronikë e zezë

Akuzoi në portal gjyqtaren Mataj, kërkon dëmin financiar

Më: 22 prill 2014 Në ora: 08:19

Në kulmin e denoncimit tek presidenti të vendimeve gjyqësore nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka reaguar Unioni i Gjyqtarëve, ku ka kërkuar ndërprerjen e fushatës së publikimit të vendimeve, pasi sipas tyre çdo vendim është i apelushëm dhe jo të bëhet objekt debatesh. Në letrën dërguar presidentit Bujar Nishani dhe organizmave të tjera në vend thuhet: ”Një akuzë apo ankesë e bërë ndaj një gjyqtari në kapacitetin e tij/saj profesional dhe gjyqësor duhet të shqyrtohet me shpejtësi dhe drejtësi, bazuar në një procedurë të përshtatshme.

Gjyqtari duhet të ketë të drejtën e një procesi të drejtë dëgjimor. Hetimi i rastit në fazën fillestare duhet të mbahet konfidencial, përveç kur vetë gjyqtari kërkon ndryshe”. Letra e unionit të gjyqtarit vjen jo vetëm si kundërpërgjigje e veprimeve denoncuese të ministrit të Brenshëm Saimir Tahiri, por edhe si një reagim kundër portalit online, që ministria e Drejtësisë ka hapur, që pas drejtimit të saj nga ministri Nasip Naço.

KËRKESA
Padia, 10 milion lekë dëmshpërblim
Rezarta Mataj kërkon 10 milion lekë të vjetra dëmshpërblim nga shtetasi Jonuz Laçi. Ky i fundit është paditur në gjykatës e Durrësit, pasi në denoncimin e publikuar në portalin e Ministrisë së Drejtësisë, kishte përmendur emrin e gjyqtares Mataj si të korruptuar. Mataj, ka qënë gjyqtarja me të cilin Laçi ka zhvilluar gjyq për një çështje pronësie në zonën e qytetit të Kavajës.

dokumenti rezarta mataj

Portali Online
Për Unionin e Gjyqtarëve portal online i hapur nga ministria e Drejtësisë për denoncimin e gjyqtarëve të korruptuar është bërë shqetësues, si pasojë e fyerjeve dhe shpifjeve që bëhet nga qytetarë të ndryshëm ndaj gjyqtarëve. Unioni kërkon mbylljen e këtij portali dhe verifikimin e ankesave në mënyrë jo publike. Si pasojë e këtyre shpifjeve në 27 shkurt të këtij viti në gjykatën e Durrësit është rregjistruar një padi civile, ku gjyqtarja e Kavajës Rezarta Mataj ka paditur shtetasin Jonuz Laçi. Sipas padisë ky i fundit ka zhvilluar gjyq në Kavajë dhe gjyqtarja ka vendosur të mos i japë të drejtë.

Pas këtij vendimi, Laçi, ka shkruar në portalin online të denoncimeve, ku ka shpifur dhe fyer rëndë gjyqtaren e Kavajës. Nisur nga kjo situatë, Rezarta Mataj, i është drejtuar me një padi civile gjykatës së Durrësit ku kërkon dëmshpërblim financiar nga Laçi.

Fshirja e denoncimit
Njëherësh me padinë civile për dëmshpërblim financiar, gjyqtarja Rezarta Mataj, ka kërkuar marrjen e masës së parakohshme nga gjykata, për fshirjen e denoncimit të bërë nga qytetari Jonuz Laçi. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata e Durësit, e cila urdhëroi Ministrinë e Drejtësisë të fshijë denoncimin e publikuar në portalin online të denoncimeve, në faqen zyrtare të ministrisë së Drejtësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat