“Kërkuam proçedim, gjyqtaren e emëruat kryetare në Shkodër”

Kronikë e zezë

“Kërkuam proçedim, gjyqtaren e emëruat kryetare në Shkodër”

Më: 22 prill 2014 Në ora: 08:15

Ministri i Drejtësisë Nasip Naço,ka zgjedhur të denoncojë në formën e kolegut të tij, Sajmir Tahiri, punën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku nëpërmjet një letre të hapur, i kërkon shpjegime këtij Këshilli lidhur me mosnisjen e procedimit disiplinor për gjyqtarët Valbona Duraj, Lindita Hoxha dhe Granit Qypi. Letra i është dërguar presonalisht zv/kryetarit të KLD Elvis Cefa,ku Naço kërkon të dijë nga ky i fundit arsyet se pse nuk është futur në rendin e ditës kërkesa për procedim disiplinor për dy gjyqtarët e mësipërm.

Naço nënvizon se jo vetëm kërkesa e tij nuk është marrë paraysh prej 1.6 vite me radhë, por KLD ka vendosur të promovojë gjyqtaren Valbona Duraj, duke emëruar atë në krye të Gjykatës Administrative në Shkodër. E njëjta skemë sipas ministrit Naço është përdorur dhe për rastin e Granit Qypi, i cili vijon të drejtojë Gjykatën e Shkallës së Parë Kukës.

Letra e plotë
I nderuar Cefa, nga Ministri i Drejtësisë ju është kërkuar me shkresat nr.prot.239111 datë 30.10.2012, nr. prot. 42 dhe nr. 43 datë 08.01.2013 procedimi disiplinor për gjyqtarët Valbona Duraj dhe Lindita Hoxha. Gjithashtu, për gjyqtarin Granit Qypi me shkresen nr. prot. 647/1 date 27.3.2012 është kërkuar ndryshimi i vendimit nr. 260/3/a datë 01.04.2010 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për shkak të konsumimit të afatit të delegimit dhe shkeljeve të konstatuara nga raporti i inspektimit tematik në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.

Nga ana juaj jo vetëm që nuk janë marrë masat për t’u shqyrtuar kërkesat në fjalë, por është lejuar si në rastin e gjyqtarit Granit Qypi, vazhdimi në kundërshtim me ligjin në funksionin e tij si drejtues i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, pavarësisht kërkesës së Ministrit të Drejtësisë.Po kështu,në rastin e gjyqtares Valbona Duraj në kundërshtim me ligjin është lejuar promovimi i saj pavarësisht kërkesës së sipër përmendur të Ministrit të Drejtësisë. Me dekretin nr. 8268, datë 16.7.2013, znj.Duraj është emëruar gjyqtare e Gjykates Administrative Shkodër dhe më pas me vendimin nr.368 date 28.10.2013 është deleguar si kryetare e kësaj gjykate.

Ndonëse ka kaluar mbi 1 vit nga depozitimi i këtyre kërkesave, Këshilli i Lartë i Drejtësisë në mungesë të plotë të efiçencës, jo vetëm që nuk i ka shqyrtuar propozimet në fjalë por në të kundërt ka lejuar promovimin e këtyre gjyqtarëve. Në zbatim të nenit 22 të Ligjit nr. 8811 datë 17.5.2001 "Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë",kërkoj nga ana juaj që propozimet e sipërcituara të përfshihen në rendin e ditës së mbledhjes më të afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat