Shpërthimi në shtëpi, i zoti: Ishin 200 gramë tritol, jo bombul gazi

Kronikë e zezë

Shpërthimi në shtëpi, i zoti: Ishin 200 gramë tritol, jo bombul gazi

Më: 22 prill 2014 Në ora: 07:51

Nuk ishte bombul gazi, ishte tritol. Policia e fshehu ngjarjen". Ky është reagimi i familjes Rushiti, banesa e të cilave mbrëmjen e të premtes u hodh në erë. Tregtari Robert Rushiti në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" sqaron se fillimisht policia e ka cilësuar si një shpërthim të një bombule gazi dhe nuk ka treguar të vërtetën se bëhej fjalë për një shpërthim me tritol. "Ne kemi dyshimet tona për personin që na e ka vënë tritolin, sepse vetëm me një person kemi konflikt", sqaron familja Rushiti. Mbrëmjen e së premtes në një banesë përballë Shkollës Teknologjike në zonën pranë Pallatit me Shigjeta, u vendos një sasi tritoli prej 200 gramë. Fillimisht, policia e cilësoi si shpërthim nga bombula e gazit dhe dy ditë më vonë në një deklaratë për mediat citohej se bëhej fjalë për shpërthim nga lënda plasëse.
Ku ishit kur ndodhi ngjarja?
Kur ndodhi shpërthimi, unë isha në kryqëzimin përballë shtëpisë, po ktheja makinën në momentin që pashë shpërthimin. Më kanë ndarë nga vdekja vetëm 20 sekonda, aq sa u vonova sa për të kthyer makinën. Tritoli ishte vendosur në derën e jashtme dhe u dëmtuan makinat që kishim parkuar në oborr, dera, muri i shtëpisë, xhamat na u thyen të gjitha. Por, ajo që nuk kuptoj unë është fakti se pse policia u mundua ta fshihte ngjarjen në fillim.
Pse mendoni se policia e ka fshehur ngjarjen?
Po, sepse në fillim policia ka shpërndarë gjithandej lajmin se bëhej fjalë për një shpërthim me bombul gazi, kur në fakt e vërteta është se bëhej fjalë për shpërthim tritoli.
Ju ku dyshoni për ngjarjen?
Ne si familje kemi vetëm një konflikt të vjetër për tokën. Konfliktin e kemi me një biznes karburanti, me të cilin jemi në proces gjyqësor prej 14 vitesh. Këtë i thashë edhe policisë, por ata më pyesnin mua për borxhe të vjetra. Ne dyshojmë se tritoli ka lidhje pikërisht me këtë ngjarje. Ne nuk kemi konflikte me persona të tjerë dhe ky është i vetmi konflikt. Kemi pasur edhe përplasje të tjera me këtë person, i cili edhe na ka kërcënuar.
VIDEOJA PARA SHPERTHIMIT
Në një video që ka siguruar "Gazeta Shqiptare", duken pamjet filmike të momenteve para se të ndodhë shpërthimi në banesën e familjes Rushiti. Në një set fotosh po shpjegojmë atë që duket në video. Në foton e parë, në hyrje të oborrit të banesës duket një makinë që vjen dhe parkon aty. Ndërkohë, po nga kamera aty duket edhe një makinë tjetër, e cila ka parkuar në pjesën e përparme të banesës. Në fotot e fundit kuptohet se shpërthimi sapo ka ndodhur, pasi në foto duken shumë persona, që janë mbledhur para banesës. E gjithë kjo ngjarje ka ndodhur për afro 15 minuta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat