Keq në Dhomat e dëshmive

Kronikë e zezë

Keq në Dhomat e dëshmive

Më: 22 prill 2014 Në ora: 07:21

Raporti i IPK për dhomat e dëshmive në Policinë e Kosovës gjatë vitit që shkoi nuk ka dalë mirë. IPK ka gjetur vërejtje në pothuajse të gjitha dhomat ku ruhen dëshmitë. Në disa nga to sigurimi nuk është në nivel e në disa tjera mungon ngrohja, e në disa tjera edhe frigoriferët. Raporti konstaton po ashtu se në disa nga dhomat e dëshmive gjërat e konfiskuara futen të gjitha në një vend

Dy dhoma të dëshmive u vodhën në raste të ndara. Në Prishtinë në vitin 2009 u thye dera e dhomës së dëshmive,nga e cila u morën dëshmi të rëndësishme. Hajnat e padukshëm nuk u zunë kurrë - shkruan Gazeta Tribuna.

E në rastin tjetër në Pejë në Dhomë të dëshmive u vodh një sasi e madhe e arit. Në Pejë, u arrestuan tre qytetarë dhe një toger policie. Por përkundër këtyre dy skandaleve që kanë tronditur Policinë, dhomat e dëshmive vazhdojnë të jenë si mos më keq. Inspektorati Policor ka inspektuar shtatë Dhoma të Dëshmive. Atë qendrore, në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë, në Drejtorinë Rajonale në Prizren, në Pejë, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj. IPK ka hartuar një raport lidhur me gjendjen në këto dhoma, i cili vlerëson gjendjen për vitin 2013. Sipas raportit në përgjithësi në dhomat e dëshmive janë të vendosura inventar (pajisje) që shërbejnë për mbarëvajtjen e punës. Ajo që e ka përcjell nivelin jo të kënaqshëm të saktësisë në këtë objektiv janë mungesa e disa pajisjeve siç janë kontejnerët e posaçëm për vendosjen e sendeve/dëshmive të specifikuara, rafteve lëvizëse të cilat do të mundësonin arritjen e një hapësire deponuese më të madhe, si dhe mungesa e dhomave ndarëse apo kupolave të veçanta brenda zonës deponuese për të vendosur armët e zjarrit. Raporti është fokusuar në sigurinë e dhomave të dëshmive.

Sipas raportit, Dhomat e dëshmive në veçanti dhoma qendrore e dëshmive edhe pse me një avancim të lartë në kushtet e sigurisë me donacionet nga ICITAP ende kërkon angazhim për të arritur në nivelin e kënaqshëm. Shumicës së dhomave të dëshmive ju ka munguar shuarësi i zjarrit, si dhe dy nga dhomat e dëshmive nuk kanë qenë të siguruara ku kapëset e derës kanë qenë të montuara nga jashtë. Sipas kritereve dera e dhomës së dëshmive preferohet të jetë e punuar nga metali, por mund të jetë derë solide e bërthamës së drurit si zgjedhje e dytë. Kapëset nyjore të derës së dhomës së dëshmive duhet të jenë të montuara nga brendësia e dhomës, kur janë të montuara kah pjesa e jashtme e derës nuk duhet të hiqen por të sigurohen.

Të gjitha dhomat e dëshmive duhet të jenë të pajisura me alarm të ndërhyrjes i cili detekton kur hapet dera pa autorizim. Po ashtu si formë e plotësimit apo mundësi alternative për një alarm ndërhyrës mund të merret në konsideratë instalimi i video mbikëqyrësit në hyrje kryesore apo në të gjitha pikat hyrëse.

Sipas këtyre kritereve të gjitha dhomat e sendeve dhe dëshmive duhet të jenë të pajisura me spërkatës zjarri, detektor tymi, shuarës të zjarri.

Të gjeturat në raport nga inspektorët e Inspektoratit konstatojnë se nga shtatë dhoma të dëshmive të kontrolluara dy nga to kanë përmbushur standardet e përcaktuara nga objektivi. Ndërsa nga pesë nga to jo. “Dhoma e Dëshmive në Mitrovicë nuk e ka të instaluar video mbikëqyrësin tek hyrja kryesore në dhomën e dëshmive por as në ndonjë nga pikat hyrëse të saj. Dhoma Qendrore e Dëshmive, Dhomat e dëshmive në Drejtorinë e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt dhe Gjilanit nuk janë të pajisura me spërkatës zjarri, shuarës të zjarrit”, thuhet në raport. Po ashtu sipas këtyre të gjeturave dhomat e dëshmive në Mitrovicë dhe Gjilan, dyert e dhomave edhe pse kapëset nyjore të tyre janë të montuara kah pjesa e jashtme ato nuk janë të siguruara me asgjë.

Raporti po ashtu konstaton se në dhomën e dëshmive në Gjilan nuk posedojnë kontejner të posaçëm për t’i vendosur sendet apo dëshmitë që duhet të ndahen nga sendet e tjera e që konkretisht mund të jenë shiringë, brisk rroje etj. “Dhoma e Dëshmive në Prishtinë,Mitrovicë, dhe Gjilan nuk posedojnë rafte montuese (rafte lëvizëse) e cila është metoda më efikase dhe e rëndësishme që në rast nevoje të rritet hapësira deponuese”, thuhet në raportin e IPK-së. Sipas këtij raporti në dhomën e dëshmive në Mitrovicë, Gjilan, dhe Ferizaj nuk kanë dhomë të ndarë apo ndonjë kupolë brenda zonës deponuese për t’i vendosur armët e zjarrit.

Po ashtu në këto tri dhoma sendet dhe dëshmitë nuk janë të vendosura ndaras nga njëra tjera sipas specifikave të tyre. Në raport është konstatuar edhe mungesa e frigoriferëve, ngrohjes dhe mos klasifikimit të duhur të gjësendeve të konfiskuara. Për të gjitha këto të gjetura Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar menaxhmentin më të lartë të Policisë që të ndërmarrë masat e duhura në mënyrë që gjendja nëpër dhomat e dëshmive të përmirësohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat