Tritoli i kapur në Fushë-Krujë u porosit nga një agjent policie

Kronikë e zezë

Tritoli i kapur në Fushë-Krujë u porosit nga një agjent policie

Më: 21 prill 2014 Në ora: 11:52

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardhi detaje të arrestimit të katër trafikantëve të lëndëve eksplozive. Të rinjtë nga Fushë-Kruja ishin në ndjekje prej një muaji, ndërsa tritoli u porosit nga një agjent i fshehtë i policisë. Një agjent policie i infiltruar me detyrën e porositësit çoi në arrestimin e katër personave në Fushë-Krujë, të cilët u kapën me 100 kallëpe tritoli.

Prej gati një muaji Prokuroria e Krimeve të Rënda ndiqte grupin e përbërë nga Dorjan Picori, Saimir Ajazi, Enis Mullaj dhe Redi Ndreu, të katërt nga Kruja, të cilët filmoheshin dhe përgjoheshin nga policia. Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se synimi ishte që personat të kapeshin në flagrancë pas porosisë nga agjenti i infiltruar, ndërsa pas arrestimit dy persona të tjerë u shpallën në kërkim. Sipas prokurorisë, shpërthimi në rajonin e policisë ndodhi pak minuta pas arrestimit të të rinjve nga Kruja.

Fillimisht u dyshua se grupi mund të kishte lidhje me vendosjen e tritolit në komisariat, por pas marrjes në pyetje rezultoi se të arrestuarit nuk janë të përfshirë në atë ngjarje. E njëjta metodë e infiltrimit të agjentëve të fshehtë të policisë u bë dhe në rastin e tregtarëve të minave me telekomandë në Shkodër. Agjenti kishte porositur disa mina nga Pjetër Babaj dhe Lulzim Toska, ndërsa ditën e takimit për dorëzimin e mallit, uniformat blu ndërhynë, duke vënë në pranga në urën e Bunës Babajn dhe më pas pranë banesës së tij Toskën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat