Hedhja e emigrantit në det, hetohen drejtuesit e tragetit

Kronikë e zezë

Hedhja e emigrantit në det, hetohen drejtuesit e tragetit

Më: 21 prill 2014 Në ora: 11:14

Hedhja e emigrantit në det, nën hetim drejtuesit e tragetit. Krahas shkaqeve që shtynë emigrantin shqiptar drejt hedhjes nga trageti, po hetohet edhe procedura e ndjekur nga drejtuesit e ekuipazhit të tragetit për t’i ardhur atij në ndihmë. Edhe pse trageti ka ndaluar, sipas udhëtarëve të tragetit, reagimi i ekuipazhit nuk ka qenë i shpejtë, ndërsa disa prej tyre e kanë parë Gentian Petën teksa përpiqej të notonte dhe kërkonte ndihmë. Nëse ishte një vendim për t’i dhënë fund jetës, kontakti me hapësirën e madhe dhe të ftohtë ujore mund ta ketë goditur fort dhe ka tentuar të mbërthehet pas jetës, shpresës për ndihmë nga trageti. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit deklaroi se po vazhdon hetimet lidhur me ngjarjen e ndodhur ditën e shtunë në det të hapur, ku rreth orës 09.00 nga bordi i tragetit “Bridge” të linjës Bari-Durrës, rreth 12 milje larg portit detar, u hodh pasagjeri Gentian Peta, 39 vjeç. Grupi hetimor i ngritur për hetimin e shkaqeve të ngjarjes, po kryen edhe verifikimin e procedurës standarde të veprimeve të ndërmarra menjëherë pas hedhjes në det nga stafi drejtues i ekuipazhit të tragetit. Pas përcaktimit të radhës së veprimeve dhe shpejtësisë së kryerjes së tyre, nga grupi hetimor bëhet e ditur se do të hetohet me kujdes nëse mënyra e kryerjes së veprimeve të shpëtimit nga stafi drejtues i tragetit “Bridge”, i përmbush ato të përcaktuara në procedurën e kërkuar për emergjencat.

Një ditë më parë, me të zbarkuar në Portin e Durrësit udhëtarët e tragetit dëshmuan se ndihma e shpejtë për Petën mungoi. Në drejtim të tij është hedhur vetëm një kamerdare e ndihmës së shpejtë, e cila ka rënë larg 39-vjeçarit. Ndërkohë një nga gomonet e shpëtimit ka qenë jashtë funksionimit, ndërsa motoskafi i ndihmës së shpejtë nuk kishte karburant në gjendje dhe deri në çastin e bërjes gati të tij ka kaluar kohë. Edhe mjeti që shërben për uljen e tij në det ka pasur probleme, gjë që ka çuar në prerjen e shpresave për shpëtimin e emigrantit, i cili, pas disa përpjekjesh për të qëndruar në sipërfaqe, është zhdukur në thellësitë e Adriatikut të dallgëzuar që ka vështirësuar dhe operacionin e kërkim-shpëtimit nga anija e Rojës Bregdetare. Udhëtarët e tragetit janë tronditur jo vetëm nga fundi tragjik i Petës, por edhe nga të konstatuarit e gjendjes së mjerueshme të mjeteve të shpëtimit, reagimit të vakët të stafit të tragetit në rastet e emergjencës që paraqiten. Pas mbërritjes në terminalin e trageteve, kapiteni i tragetit “Bridge”, Thimios Sakos, deklaroi për median se kishte reaguar me të marrë njoftimin për rënien në det të një njeriu, duke ndryshuar kursin e lundrimit dhe se irritimin e udhëtarëve e sheh të lidhur me vonesën e shkaktuar për shkak të ndalimit në det të hapur për operacionin e kërkim-shpëtimit.

Gjatë operacionit nuk u arrit të gjendet trupi i emigrantit Peta që dyshohet se e ndërmori aktin në kushtet e depresionit nervor. Gjithsesi grupi hetimor nuk është shprehur zyrtarisht mbi rastin, duke mos e përcaktuar ende atë si një vetëvrasje. Hetimet vazhdojnë, ndërsa kërkimet për gjetjen e trupit janë ndërprerë. Rrymat e forta detare të kësaj fundjave dyshohet ta kenë zhvendosur trupin, duke e bërë të vështirë rezultatin e kërkimeve të tij në Adriatik, ndërsa detarë durrsakë thonë se duhet pritur që deti bujarisht ta nxjerrë, sa më shpejt, diku trupin e Petës për t’ia kthyer tokës dhe familjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat