Gracka, kapen 4 duke shitur 100 kallëpe me tritol të porositur

Kronikë e zezë

Gracka, kapen 4 duke shitur 100 kallëpe me tritol të porositur

Më: 20 prill 2014 Në ora: 09:39

Pak më sipër Fushë-Krujës, në çastin kur po shkëmbenin 30 kg tritol me mijëra euro, në orën 5 të mëngjesit të djeshëm uniformat blu u vunë prangat 4 të rinjve, ndërsa 2 të tjerë u shpallën në kërkim. Kësisoj, operacioni “Detonatori” i dha frutet e tij të punës 1-mujore, kur u arrit të shkatërrohej banda prej 6 personash që furnizonte me lëndë eksplozive grupet e tjera kriminale që operojnë në Tiranë e Fushë-Krujë.

Burime të mirëinformuara pranë Drejtorisë së Policisë së Durrësit thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se 100 kallëpet e tritolit ishin porositur nga kriminelë që kishin ndërmend të kryenin disa atentate, porse kohët e fundit grupi i të gjashtëve ishte bërë tepër i kërkuar në botën e krimit, pasi sasia e tritolit (gati për atentat, pra e lidhur me kartën SIM të telefonit, në pritje për thirrjen shpërthyese), sa vjen dhe po reduktohet për shkak të dhjetra operacioneve policore dhe sekuestrimeve të kohëve të fundit në Tiranë, Shkodër, Korçë, etj.

Arrestimet në të gdhirë
Sapo kishte shkuar ora 5 e mëngjesit, dje në Fushë-Krujë mësynë uniformat blu, duke mundur të arrestojnë 4 persona. Kështu, u arrestuan Dorjan Picorri, 28 vjeç, Saimir Ajazi, 34 vjeç, Redi Ndreu 30 vjeç dhe Enis Mullai, 31 vjeç, të katërt nga Kruja. Mullai u gjet i fshehur në brendësi të një stani bagëtish, në zonën e Zaharisë. Në kërkim është shtetasi me inicialet E.B dhe një person tjetër.

Dy tritolvënësit në komisariat
Të njëjtat burime policore thanë për “Shqiptarja.com” se 2 nga të rinjtë e arrestuar janë autorët e dyshuar në 2 prej 3 shpërthimeve në komisariatin e policisë së Fushë-Krujës. Ata po merren në pyetje për të dhënë detaje rreth 3 shpërthimeve në këtë komisariat, ku i fundit u shënua pardje, kur shpërthyen rreth 200 gramë tritol, duke shkaktuar dëme materiale.

Rrjeti, tritol me porosi
Të gjithë këta persona kishin lindur në Krujë dhe ishin banorë të përkohshëm në Tiranë, ku vinin në bazë të porosive dhe kërkesave për “punë”. Ky ishte një ndër grupet e rralla që vijonin të shisnin lëndë plasëse të kompletuar dhe gati për përdorim kriminal, ndërsa theksojnë se tashmë çmimi i një pakoje është rritur së tepërmi, pikërisht për shkak të reduktimit të ekplozivit. Duke mos dashur ta saktësojnë çmimin e saktë për një pako C4, burimet e lartpërmendura policore shtuan se mjafton të përmendet fakti që këta shitës operonin me mijëra euro, pasi kishin me dhjetra kërkesa çdo javë.

Tritoli ose u kishte mbetur nga kompanitë që e përdornin për ndërtimin e rrugëve, ose që nga koha kur kontrollet ishin të vakëta. Prej 1 muaji policia kishte marrë informacion nga një banor i Krujës dhe më pas disa anëtarë të rrjetit u vunë në përgjim, si ambiental ashtu edhe telefonik, duke arritur të zbërthenin biseda që më pas përbënë fakte dhe prova të pakundërshtueshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat